Politike

Dy dekadat Rama-Majko për Teatrin, nga kapja për krahu te debati në Kuvend

Ishte vetëm 31 vjeç. Në tetor të vitit 1998, ai u zgjodh kryeministër në një klimë të rënduar politike. Fatos Nano ishte dorëhequr si kreu i qeverisë, pas 14 shtatorit të atij viti dhe vrasjes së Azem Hajdarit.

Ndaj, kryeministrit më të ri në moshë, iu desh të menaxhonte jo vetëm situatën në vend, por edhe luftën e Kosovës.

Por rrugëtimin e Pandeli Majkos në krye të qeverisë e ndërpreu Kongresi i 8-të i socialistëve në vjeshtën e vitit 1999.

Pandeli Majko ishte në garë me Fatos Nanon, i rikthyer për kreun e PS-së. Kontributor publik në përballjen e Kongresit (atë kohë) dhe në krah të Pandeli Majkos ishte Edi Rama. Atëbotë, Rama shkruante edhe fjalimet për atë betejë jo pa tensione mes socialistëve.

Majko humbi përballë Nanos me një diferencë prej 36 votash, që i kishte Ilir Meta dhe njerëzit e tij.

Ai la sallën ku u mbajt kongresi dhe për krahu e mbante Edi Rama, atëkohë ministër Kulture…

…Majko linte një vit të vështirë konflikti me opozitën e kohës, luftën e Kosovës dhe betejën brenda PS-së. Por gjatë atij mandati të parë si kryeministër, ai u përpoq të zgjidhte debatin për të ardhmen e Teatrit që kishte nisur më herët Edi Rama me artistët.

“Nuk dua të futem në debatin tejet të politizuar tashmë për godinën e Teatrit Kombëtar. Qëndrimi im nuk ka nevojë të diskutohet pasi ai është më i ‘vjetër’ se sa qeveria ku bëj pjesë. Kushdo që më njeh brenda Partisë Socialiste thjesht e ka respektuar dhe zëri im nuk bëhet pjesë e asnjë komedie politike…”, tha Majko për Gazeta “Si” pas zhvillimeve të ditëve të fundit për shëmbjen e godinës së Teatrit.

Ai kujton se, “në vitin 1998 në vizitën zyrtare si kryeministër në Greqinë fqinje, në vendin ku ‘lindi’ teatri, kërkova ndihmë për të ndërtuar një Teatër”.

“Zyrtarët grekë e pritën mjaft mirë dhe nënshkruam një marrëveshje me kryeministrin e kohës Micotaqis.

Pjesa e parë e grantit që erdhi si ndihmë nga pala greke mbeti e pashpenzuar në vite me debate se ku dhe si do të bëhej nga qeveritë e radhës”, tregoi Majko.

Dhe qeveria e radhës e socialistëve në vitin 1999 u arrit pas paktit Nano-Meta për të ndarë partinë dhe qeverinë. Nano kryetar i PS-së dhe Meta Kryeministër. U duk se ata do të bashkëjetonin gjatë. Por historia mes tyre nuk e tregonte këtë. Përplasjet nisën shpejt. Ilir Meta u dorëhoq si kryeministër në fundjanarin e vitit 2002.

Foto: Majko dhe Rama në një nga kongreset e PS

Në shkurt 2002 Pandeli Majko zgjidhet kryeministër për herë të dytë. Fatos Nano ishte kryetar i PS-së, ndërsa Edi Rama në mandatin e parë si kryebashkiak i Tiranës.

Rrugëtimi i dytë i Majkos kryeministër ishte edhe më i shkurtër se i pari. Vetëm 6 muaj. Kohë e shkurtër, por sfidat dhe betejat e Majkos nuk ishin të pakta.

Sërish betejë e dytë për Teatrin. Majko kryeministër, ndërsa Rama këtë herë Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Në 2002 kam pasur debatin e vjetër me mikun tim, Edi Ramën për prishjen ose jo të Teatrit. Kjo solli largimin e drejtorit të Teatrit, që kishte rënë dakord për prishjen e tij.

Aty u vendos Agim Qirjaqi, një arstist, më shumë se sa një drejtor i mirëfilltë, pasi ai nuk e donte këtë post.

Ai qëndroi vetëm disa muaj me kushtin që i vendosa për ta ndjekur vetë rikonstruksionin e godinës së Teatrit Kombëtar”, - tha Majko.

“U dha një ‘grant’ me një vendim të posaçëm të qeverisë, i cili sigurisht që u bë realitet.

Kur rikonstruksioni mbaroi unë nuk isha më në zyrën e kryeministrit, por në atë të ministrit të Mbrojtjes”, kujton Majko, i cili pas dorëheqjes së vitit 2002 si kryeministër, u pasua nga Nano në krye të qeverisë.

“Artistët siç kanë artin, kanë edhe kujtesën. Ata më ftuan në inagurimin e rikonstruksionit të pjesshëm të godinës.

Inagurimi ishte një takim që nuk shpjegohet veç jetohet. Agim Qirjaqi pas kësaj dha dorëheqjen. Ai sot nuk jeton më, por lotët e tij dhe emocionet e asaj nate me artistët e Teatrit Kombëtar më detyrojnë t’i shkruaj këto rreshta…”, thotë Majko për betejën e vitit 2002.

Socialistët lanë pushtetin në 2005-ën. Për 8 vite vendin e drejtuan demokratët. Me Berishën kryeministër, Rama si kryebashkiak i Tiranës as që e çoi ndërmend betejën për Teatrin. Mbeti një ëndërr në sirtar. Ashtu edhe kur u zgjodh Kryeministër, por kryetar i Bashkisë ishte Lulzim Basha. Deri në 2017-ën, kur kryebashkiak i Tiranës (prej dy vitesh) ishte njeriu i tij më i besuar, Erjon Veliaj.

Rifilluan negociatat me artistët ndërsa ngjarjet vijuan edhe një vit më pas (2018).

Foto: Majko dhe Rama gjatë një diskutimi në Kuvend

Përplasja mes Majkos dhe Ramës për Teatrin u shfaq dukshëm në korrik të 2018-ës në Kuvend kur u votua projektligji që kishte si objekt realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Debati mes tyre nuk dëgjohej mirë, por tensioni i dyanshëm dallohej, ndërsa mediat raportuan për një dialog të nxehtë. “Nëse nuk do të votosh, ik në shtëpi. Mos më bëj numra mua”, iu drejtua Rama, Majkos. Ndërhyri mes tyre edhe Fatmir Xhafaj atë kohë ministër i Brëndshëm.

https://www.youtube.com/watch?v=5IOg6KQhVcQ

(Kronika e TCH e debatit Rama-Majko në parlament 2018)

Por pa rezultat. Majko u pa i revoltuar duke dalë nga salla e Kuvendit me telefon në vesh. Ai nuk mori pjesë në miratimin e projektligjit. Ndërsa në një tjetër votim të dytë, po për të njëjtën çështje në Kuvend në shtator të atij viti, Pandeli Majko nuk ishte në sallë.

Sot debati është zhvendosur tek bashkia e Tiranës dhe për herë të parë mes Majkos dhe Ramës (me një miqësi të hershme në politikë) nuk do të shohim debat për Teatrin. Qëndrimet e tyre janë të qarta dhe po njësoj si në vitin 1998. Ka ndryshuar vetëm rotacioni i vendeve.

Rama humbi dy herë përballë Majkos për Teatrin kur ky i fundit ishte kryeministër.

Sot, Majko nuk mund të bëjë dot asgjë për “lotët e Agim Qirjaqit” si ministër i Diasporës, me kryeministër Edi Ramën… Vetëm të kujtojë të vërtetat e tij për Teatrin... / N.P

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë