Gazeta Si – U ekstradua mëngjesin e kësaj të enjteje me avion charter nga SHBA-të, Sokol Hoxha, vrasësi i tre personave në vitin 1997.
Ai u arrestua në SHBA pas 30 vitesh në arrati për vrasjen e 2 vëllezërve në Patos dhe të një gruaje në Belgjikë.
Hoxha, i lindur në Fier, kishte hyrë në SHBA me identitetin Hysen Gashi pasi kishte kryer ekzekutimin e vëllezërve Banaj në vendlindje në mars të 1997 dhe pak muaj më pas të Brunilda Hoxhës në Belgjikë pasi kishte tentuar ta prostituonte dhe e ndjera nuk kishte pranuar.
Dyshohet se Sokol Hoxha kishte sajuar një martesë me Brunilda Hoxhën, por ai e shfrytëzonte për prostitucion, derisa e qëlloi për vdekje në një bar në Bruksel.
Dyshohet se arsyeja e kësaj vrasjeje kishte qenë kundërshtia e viktimës për t’iu bindur Hoxhës në tentativën e tij për ta shfrytëzuar.

Sipas hetimeve, raportohet se pas vrasjes në Belgjikë, Hoxha u transferua në Britaninë e Madhe me dokumente të falsifikuara kosovare, siç shumë shqiptarë bënin në atë periudhë, duke përfituar nga lufta e Kosovës. Përmes këtyre dokumenteve false ai ka arritur të sigurojë leje qëndrimi në Britani.
Por frika ishte ende ekzistente se mund të zbulohej dhe ai dyshohet se mori vendimin për t’u transferuar përtej Atalantikut, në SHBA në fillim të viteve 2000.
Ai nisi kështu një jetë të re, me identitet krejt tjetër, por sërish me barrën e rëndë të tre viktimave në Shqipëri dhe në Belgjikë.
Pas indicieve se Hoxha ndodhej në SHBA, ministria e Drejtësisë në 2019 dorëzoi një kërkesë ekstradimi tek autoritetet amerikane. Investigimet i dërguan hetuesit tek Sokol Hoxha i vërtetë, duke përputhur shenjat e gishtave dhe fotografitë e asaj kohe.

U vërtetua plotësisht se shtetasi me pasaportë false me identitet të ri është Sokol Hoxha, i dënuar me 25 vite burgim në Shqipëri dhe një dënim të përjetshëm kapital në Belgjikë.
Mësohet se më 5 maj në Ohajo, i shumëkërkuari për gati tre dekada u arrestua dhe autoritetet amerikane vlerësuan hapat e mëtejshëm për dorëzimin dhe largimin e këtij të arratisuri në Shqipëri ose Belgjikë. Sokol Hoxha sot është 51 vjeç
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje