Analize

Nga protestat te brekët e Violeta Manushit dhe peticioni pro shembjes

Më shumë sesa betejën për Teatrin, Edi Rama ka fituar betejën me vetë artistët…

Edi Rama hyri në politikë si ministër i Kulturës, në qeverinë e Fatos Nanos, në vitin 1998. I sapo kthyer nga Parisi, Rama polemizoi në ditët e para të punës.

Shqipëria e asaj kohe, që e kishte të afërt 97-ën e kishte luks të ziente për kulturën. Por ashtu siç vetëm ai di, Edi Rama nisi debate të forta me artistët duke hedhur në tavolinë një platformë reformuese për kulturën shqiptare, që deri në atë kohë, njerëzit e saj as e kishin për zakon të përvishnin mëngët, por vetëm të shkruanin, aktronin dhe krijonin.

Platforma e reformës në Teatër që deri diku cënonte pagën dhe “ofiqin” e aktorëve me emër, do të vijohej më pas me idenë e prishjes së Teatrit.

Atëbotë, Edi Ramën e rrethonin dy njerëzit me besnikë në ministri, Blendi Gonxhe dhe Virgjil Muçi, që jo pak herë ishin katalizatorë të “armëpushimit” në përballjet e nxehta me artistët.

Ishte koha e Vangjush Furxhiut, Kadri Roshit e Agim Qirjaqit një kaste artistësh  që sot nuk janë më në këtë jetë. Por ishte edhe koha e intelektualëve si Fatos Lubonja, Maks Velo, Artan Lame apo  Artan Shkreli që polemizuan mjaft për Teatrin.

U pezulluan shfaqjet nga artistët, u inicuan greva, për të kaluar në protestë në mbarë vendin. Atëbotë, artistët u fokusuan tek dorëheqja e Edi Ramës nga posti i ministrit të Kulturës dhe pezullimi i përgatitjes së projektligjit për Teatrin.

Polemika mes Ramës dhe aktorëve mbeti e hapur dhe në negociata u përfshi një qeveri e tërë, ku një rol jo të vogël pati ish-kryeministri i asaj kohe Pandeli Majko.

Për të shkuar më pas tek një zgjidhje e mesme, por me një shije të hidhur për aktortët në vitin 2000 kur një tjetër kryeministër, Ilir Meta, i kërkoi grupit parlamentar socialist miratimin e draftit për teatrin me disa propozime edhe të artistëve. Rama nuk u largua nga posti që mbante. Por as Teatri nuk u prish...

…Në vitin 2002, Edi Rama i rikthehet debatit për Teatrin, kësaj here si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Tenton seriozisht shembjen e godinës dhe zëvendësimin aty me një ndërtesë  të lartë ku dy katet e para do t’i takonin Teatrit.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, plejada e aktorëve bashkë me zërin kundërshtues është më minore. Debatet orientoheshin në salla të mbyllura ku mbahet mend vetëm batuta e Ramës për aktoren Violeta Manushi.

Në atë takim, artistët kush më shumë e kush më pak i kujtuan Ramës se godina jo vetëm që nuk duhej të prishej, por mandej të shihej mundësia edhe për muze.

Rama krejt i sekëlldisur, lëvizi nga vendi ku ishte ulur, mori mikrofonin dhe drejtohet: “Po ç’do vini aty? Brekët e Violeta Manushit? Brekët e kuqe të Violeta Manushit, nuk janë brekët e Greta Garbos!”. Aty për aty, aktori Luftar Paja u ngrit në këmbë, iu afrua Ramës dhe replikoi; “Brekët e Violeta Manushit janë të arta”. Hilariteti në sallë ishte i madh.

Debati u shtri edhe njëherë në nivel qeveritar. Ministrja e Jashtme në atë kohë, Arta Dade, ngriti një grup pune, ndërsa ai që do të vendoste pikat mbi “I” do të ishte Pandeli Majko i cili doli garant për kalimin e një granti, që do të konsistonte në ristrukturimin e godinës aktuale. Granti u lëvrua vetëm një pjesë...

Debati u mbyll. Për të kaluar në fazën e tretë dhe sa duket vendimtare. Edi Rama nuk është as ministër Kulture dhe as kryetar Bashkie. Ai është kryeministër i Shqipërisë dhe vëmendjen për këtë çështje e kthen qysh dy vjet para.

Rifillon debati më të tjerë aktorë. Robert Ndrenika i pari, duke vijuar me Mirush Kabashin se, “koha është e maskarenjve, por  teatri është i shqiptarëve” e deri tek Arben Derhemi që paralajmëronte se godinën e Teatrit Kombëtar do ta mbronte me çdo çmim.

Asnjë prej tyre sot, në një situatë të re ligjore për Teatrin, por jo politike nuk është më në oborrin e Teatrit Kombëtar.

Shumë kush u “bind” me takime intensive të inicuara nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sot ata janë në kahun e Edi Ramën.

Me një opinion të ndryshuar nga aktorët, debati për Teatrin po shkon drejt fundit.

Sepse, ndryshe nga 1998, 2002 apo 2018, sot në oborrin e asaj godine kanë mbetur vetëm dy zëra të veçuar; aktori Neritan Liçaj dhe regjizori Edmond Budina…

Për ironinë e fatit, sot atyre u përplaset një peticion i gjatë artistësh kolegë që dikur mbronin me fanatizëm çdo tullë të godinës. Gjithçka tjetër pastaj është politike. Pas 22 vitesh kur e inicoi, sot koha po punon për Ramën…Sepse më shumë sesa betejën për Teatrin, ai ka fituar betejën me vetë artistët…

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë