Gazeta Si – Mbrojtja Civile bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive.
Sipas Mbrojtjes Civile, puna vijon në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun Elbasan, ku situata paraqitet nën kontroll ose drejt izolimit.
Ndërkohë në Mallakastër, raportohet se janë evakuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie. Flakët kanë dalë në aksin Riban-Ngraçan, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse dhe të policisë.
Terreni i thyer, bimësia e dendur dhe era kanë penguar ndërhyrjen nga toka, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për të mos lejuar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara.
Era e fortë ka favorizuar flakët që kanë kaluar rrugën e Panahorit. Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj e cilësoi situatën si problematike. Për të dytën ditë me radhë, ndërhyrja për shuarjen e flakëve në Mallakastër po mbështetet edhe nga ajri.
Në operacion është angazhuar avioni zjarrfikës “Air Tractor AT-802 Fire Boss”, i cili ka kryer fluturimin e parë operacional në Shqipëri.
Ndërkohë, vatrat në Kostren (Berat), Pocest (Dibër) dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë (Gjirokastër) janë shuar dhe mbahen në monitorim.
Nga zjarret janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier. Për ditën e sotme parashikohet nivel i lartë rreziku për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër.
Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve janë angazhuar 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore. Avioni i përket kompanisë me të cilën qeveria ka lidhur kontratë për blerjen e 3 avionëve të këtij tipi, të cilët do të vijne në fund të vitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje