Analize

“Mea culpa” e munguar e Bashës për Teatrin…

Në korrik të vitit 2018 kur në Kuvend po diskutohej projektligji për prishjen e godinës së Teatrit, Lulzim Basha, iu bashkua artistëve protestues në oborrin e “qëndresës”, me një letër në dorë: “Unë jam Teatri”.

Ishte një fjalë e shkurtër, por me shumë premtime.

Basha nuk do të lejonte që drafti të bëhej ligj në Kuvend (kaloi me shumicën e votave të mazhorancës). Edhe nëse miratohej, do të ndërhynte tek Meta që të mos e dekretonte (Presidenti e kishte kauzë të vetën) dhe akti i fundit; “Ne do të jemi këtu me trupat tanë për t’ju kundërvënë me të gjitha mjetet, me çdo formë dhe me çdo cmim këtij akti mafioz dhe kriminal”

Basha premtoi dy vjet më parë se ai do ta mbronte Teatrin brenda Kuvendit, ndërsa artistët jashtë saj.

Muaj më vonë, Basha doli përfundimisht edhe nga Kuvendi. Teatri mbeti pezull dhe po aq edhe premtimet…  

…Pak ditë më parë, Rama gjeti një tjetër mekanizëm edhe më të shpejtë se burokracitë parlamentare. Shfrytëzoi pandeminë dhe brenda tre ditësh debat mbylli kapitullin 22 vjeçar të shembjes së godinës. Reagoi edhe Basha. Foli sërish për vija të kuqe, si dy vjet me parë. Ndërsa fadromat kësaj here i mori përsipër për t’i ndalur me trup Monika Kryemadhi.

Foto: Lulzim Basha pas takimit me Aleancen per Mbrojtjen e Qytetarit ku foli poer vijat e kuqe

Me lojëra fjalësh se kush e kishte radhën për dezhurn, Lulzim Basha shkoi aty në mëngjes herët, kur fasada e Teatrit kishte rënë. Artistët që e mbronin kishin përfunduar në komisariat. Dhe media ishte tulatur nga nxitimi i policëve për t’i shpërndarë.

Mbahet mend vetëm zëri i një aktivisteje, që filmonte fillimin e shëmbjes dhe ndërhyrjen e fortë të policisë; “Hajdeni ju lutem, ku jeni?”

Aty Basha kishte dërguar Flamur Nokën. Njeriun e gabuar të mbronte të pambrojtshmen.

Sepse “Unë jam teatri” ishte kronikë e një fati të paracaktuar…

Foto: Basha duke folur per mediat, pas takimit me strukturat lidhur me hapat qe do ndermerren pas prishjes se Teatrit

…Basha mbledh aleatët, më pas edhe strukturat natën vonë. Premton se do të mbeshtesë protestën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Shfaqet në protestë, i rrethuar nga gratë e PD-së dhe me një qëndrim krejt të paqtë.

U thotë artistëve se kur të vijë në pushtet do të ndërtojë një teatër të njëjtë me atë të mëparshmin, por me një kleçkë premtuese jo pak të vogël.

“Ripërsëris edhe njëherë vendosmërinë time dhe të Partisë Demokratike, të opozitës së bashkuar, për t’i qëndruar kontratës së firmosur me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit për rindërtimin e Teatrit në vendin ku ishte sipas të gjitha përcaktimeve, siç ishte nga jashtë…”, tha Basha, duke shkuar më tej se, nuk do të lejojë ndërtimin e Teatrit të ri.

 “Përfitoi” politikisht edhe me kauzën. Se sot duhet protestuar më shumë se për Teatrin, për diktaturën, tiraninë dhe rivendosjen e demokracisë.  

Vija e kuqe tashmë ndryshoi ngjyrë…

“Unë jam Teatri” mbeti si arkiva e vetë Teatrit e zhytur në kanalet e zeza të bashkisë pas gërmadhave, që la shëmbja e godinës…

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*

Më Shumë