Arsim

Studentët e mjekësisë bojkotojnë auditoret por viti i parë s’bashkohet: Kemi frikë

Nga Gazeta Si- “Nuk po ngrihem për të ikur, por për shpresën që na keni fikur”! Kështu e nisën bojkotin e vitit akademik studentët e mjekësisë të cilët me bluzat e bardha të veshura, protestuan kundër ligjit për të qëndruar në Shqipëri pas përfundimit të studimeve ose përndryshe të paguajnë tarifën e plotë, duke thënë se bojkoti do të vazhdojë deri në momentin që do të ketë një reagim pozitiv nga ana e Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë, studentët shprehen se ligjin do e çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Do të vazhdojmë bojkotin derisa të kemi një reagim. Paralelisht po përpiqemi të çojmë ligjin në gjykatën Kushtetuese”.

Studentët shprehen për Gazetasi.al se një vendim i tillë i ka mbajtur në ankth gjatë gjithë pushimeve verore dhe kanë qenë në mëdyshje se çfarë duhet të bëjnë.

“Ishte një stres i madh. Të mos dish nëse do të firmosësh një kontratë për të cilën nuk je aspak dakord apo nëse do të paguash një tarifë që do jetë shumë e lartë është stresuese dhe kjo dilemë më ka shoqëruar gjatë gjithë verës. Prindërit gjithashtu janë të shqetësuar sepse nuk duan që diploma ime të mbahet peng pasi unë mbaroj me shumë mund universitetin. Plus që kurrë nuk i dihet jetës, mua mund të më duhet të shkoj jashtë me patjetër dhe ndërkohë nuk do kem një diplomë”, thotë i revoltuar një nga studentët që ka vendosur të bëhet pjesë e protestës.

Një tjetër student thotë për Gazetasi.al se kjo është vetëm dita e parë e bojkotit deh në ditët në vijim do të jenë edhe më shumë studentë në protestë.

“Është e vërtetë që mjekët largohen, por ky është faji i instancave shtetërore, që nuk ua mundësojnë kushtet dhe sigurinë. Për këtë arsye mjekët largohen”.

Dea Guri e cila sot nisi zyrtarisht vitin e 6 të studimeve, thotë se nuk do të pranojnë kompromis dhe se një situatë e tillë është paralajmëruar edhe më parë dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Arsimit.

“Ne ende nuk dimë sa do jetë tarifa që duhet të paguajmë nëse nuk pranojmë të firmosim kontratën. Kemi kërkuar informacion si nga Universiteti ashtu edhe nga Ministria por nuk na është dhënë një shifër”, thotë ajo duke shtuar se, si një nga organizatoret e kësaj proteste, ka vënë re se mungojnë studentët e vitit të parë të cilët, sipas Gurit, nuk e dinë ende realitetin.

“Studentët e vitit të parë nuk e dinë ende realitetin por me siguri do të na mbështesin sapo të shohin kushtet në të cilat do të mësojnë dhe punojnë më vonë”, thotë Guri.

Në të vërtetë, studentët e vitit të parë ishin prezent në ambientet ku po protestohej por jo për protestë. Ndërkohë që turmat e studentëve brohorisnin tek Universiteti i Mjekësisë, në një cep kishte një turmë tjetër studentësh të cilët po prisnin në radhë për të marrë bluzën e bardhë dhe më pas të nisnin leksionet.

“Të them të drejtën kam frikë të mos shkoj në leksione. Është dita e parë dhe nuk dua që të cilësohem si një studente që bojkotoi mësimin. Unë as nuk i njoh pedagogët dhe se di mendimin që kanë ato për këtë bojkot”, thotë një nga studentët që po priste në radhë për të marrë bluzën e bardhë. Në një mendim me të ishin edhe studentë të tjerë të vitit të parë të cilët u shprehën se nuk duan të nisin studimet në këtë mënyrë.

Por, Samuel Koxhaj, student i vitit të parë kishte vendosur të ishte pjesë e bojkotit.

Studentë të vitit të parë duke pritur në radhë për të marrë bluzën e bardhë. Gazeta Si, tetor, 2023.

“Edhe pse jam vit i parë, që në korrik e kam vendosur se do bojkotoj sepse nuk dua të nis këtë rrugëtim me stresin se çfarë do të ndodhë me shkollën time më vonë. Na thanë se do firmosim një kontratë në momentin që do të regjistrohemi dhe kjo nuk ndodhi. Tani nuk e di çfarë do të ndodhë”, thotë studenti.

Ai shton se kurrsesi nuk pranon një kompromis dhe që të rrinë në Shqipëri duhet që të nxiten me kushte më të mira dhe pagë më të mirë, jo me dhunë.

Mes studentëve të revoltuar kishte edhe studentë që kushtet ekonomike në familje i kanë shtyrë që të mendojnë largimin nga vendi dhe nëse nuk firmosin kontratën, pagesa do jetë e papërballueshme.

“E di që është një vendim që shumë e kanë quajtur tradhti por kushtet ekonomike në familje më kanë shtyrë që të mendoj të iki në Gjermani për të punuar pas përfundimit të studimeve. Tani, nëse unë firmos kontratën, do më duhet të rri këtu dhe për 6 vite të tjera dhe për mua janë shumë. Nëse nuk nënshkruaj kontratën, do më duhet të paguaj tarifën e plotë që e di se nuk e paguaj dot. Ky ligj më ka lënë në një udhëkryq shumë të madh dhe tani ndjehem e pafuqishme për të ndihmuar familjen time”, thotë një studente e vitit të 3-të.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë