Arsim

Rezultatet në PISA, Zhupa: Po rrisim analfabet funksional. Manastirliu fajëson tërmetin dhe pandeminë: Edhe Gjermania ra me pikë

Nga Gazeta Si- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa në interpelancën e kërkuar me ministren e Arsimit, për rezultatet e PISA-s, tha se të dhënat e këtij raporti janë turpëruese për Shqipërinë, e cila renditet edhe më keq se Palestina dhe Uzbekistani.

Zhupa tha se në vend po thellohet analfabetizmi funksional dhe që Shqipëria ka nisur një proces dearsimimi.

“Po krijojmë analfabetë funksional. Është turpi i kësaj shoqërie. Shqipëria ka nisur një proces dearsimimi. Ndërkohë që testi i radhës (që do të mbahet në 2025) do fokusohet tek teknologjia, ne kemi mësues që nuk dinë të përdorin teknologjinë si dhe shkolla që nuk kanë kompjuterë”, tha Zhupa, duke akuzuar ministrinë e Arsimit si një ministri që nuk pranon problematikat që ka arsimi, si dhe nuk pranon rezultatin e PISA-s e as nuk mban përgjegjësi për këto rezultate.

Nga ana tjetër, ministrja e arsimit, Ogerta Manastirliu tha se ky rezultat ka disa faktorë që mund të fajësohen, mes tyre tërmeti i 2019 dhe pandemia e Covid-19 si më kryesorët.

“Ne nuk fshihemi pas gishtit. Nuk themi që PISA ishte performancë që ka ecur në hapin që ne do të donim, por kemi bërë një analizë si dhe një vlerësim. Për të dhënë një kontekst, ka vende shumë të zhvilluara si Gjermania që në 2022 u ul me 25 pikë. Performanca jonë ishte në ulje, por u ndikua nga disa faktorë, si pandemia dhe tërmeti”, tha Manastirliu, duke shtuar se izolimi dhe mbyllja e shkollave në pandemi ishte një sfidë që ndikoi edhe në rezultat.

“Ishin dy emergjenca që krijuan hendekun nga nxënësit”, tha ministrja

“Izolimi, mbyllja e shkollave, ishin sfidë në kohën e pandemisë, pavarësisht përpjekjeve për realizimin e mësimit online, por të mos harrojmë se ishte dhe tërmeti i nëntorit që ndërpreu procesin mësimor në shkollat që u prekën. U bë mësimi me dy turne”, tha Manastirliu e cila në fjalën e saj fajësoj edhe nxënësit për rezultatin në PISA.

“Një tjetër shkak i cili është vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtar që ka rezultuar si faktor paralizues, është edhe mungesa e angazhimit të nxënësve”, tha Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë