Politike

Berisha: Bashkohem me bojkotin e mjekësisë, degët po mbyllen, studentët të protestojnë  

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi për mediat se e sotmja nuk është një fillim i mirë për vitin e ri akademik  

“Ka një rënie dramatike të numrit të studentëve në një kohë kur Shqipëria ka nevojë jetike për kapërcimin e prapambetjes së tmerrshme që trashëgoi nga e shkuara, për një numër në rritje të qytetarëve të saj të diplomuar në universitete.

Por nuk është vetëm ulja e numrit të studentëve një problem madhor për vendin dhe arsimin e lartë universitar. Një problem tjetër shumë i madh është situata ekonomike e studentëve në Shqipëri.

Studentët në Tiranë, nisin vitin e tyre universitar në qytetin e tretë me qira më të larta në Europë. Më të shtrenjta!

Ndërkohë, qeveria shqiptare nuk ka parashikuar qoftë dhe një qindarkë kompensimi për rritjen stratosferike të qirave të banimit. Nuk ka parashikuar një qindarkë të vetme kompensim për rritjen stratosferike të ushqimeve dhe shërbimeve në qytetin e Tiranës.

Kështu, studentët përballen këtë vit njësoj si qytetarët me çmime 7-10 përqind më të shtrenjta për ushqimet se në vendet anëtare të BE”, tha Berisha.

Ai tha gjithashtu se mbështet bojkotin e studentëve të mjekësisë.

“Unë u bëj thirrje studentëve të universiteteve të solidarizohen me studentët e mjekësisë, të mos pranojnë këtë vendim absurd që synon të kontrollojë ëndrrën dhe vullnetin e tyre.

Nuk është zgjidhja kontrata, zgjidhja është rritja e rrogave. Rritja dhe vetëm rritja e rrogave!

Nëse qeveria do shkurtonte shpenzimet e tmerrshme të Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë, ato do mjaftonin për dyfishimin, trefishimin e rrogave të mjekëve.

Mjekët duhet të paguhen që të japin shërbimet e duhura dhe të qëndrojnë”.

Berisha përmendi gjithashtu se degët e mësuesisë po mbyllen. Sipas tij, e vetmja zgjidhje e kësaj situate janë protestat.

“Unë garantoj studentët se PD në programin e saj, do t’u japë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha këtyre çështjeve, por i fton ata të marrin në dorë fatin e tyre, të ngrihen me guxim kundër një qeverie që është përçmuese, përbuzëse ndaj tyre dhe të ardhmes së tyre”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë