Biznes

Si gjigandët e teknologjisë morën fshehurazi 800 mln$ për qendrat e të dhënave

Qeveritë po shpenzojnë miliona dollarë për të bindur kompanitë e mëdha si Facebook, Google, Microsoft që të ndërtojnë një qendër të vetën të dhënave. Në këmbim kompanitë kanë kërkuar reduktim të taksave.

Marrëveshja është sekrete dhe kostoja mesatare prej 1 milion dollarësh për një vend pune të shtuar, është e dyshimtë.

Një kompani e teknologjisë në SHBA kishte në plan të ndërtonte një data center prej 2 km katrorë në Ohio, do të punësonte me kohë të plotë 20 qytetarë dhe kërkoi nga qeveria 54 mln dollarë stimul. Kompania nuk ishte bërë publike, por sipas Forbes, kompani është Google.

Shumën më të madhe të stimulit e ka kërkuar kompania Facebook, 355.5 mln dollarë me 400 vende pune të përhershme të premtuara. Apple ka kërkuar 208 mln dollarë me 50 vende pune.

Dhjetëra shtete në SHBA janë të gatshëm të ofrojnë incentiva miliona dollarëshe vetëm që kompanitë e Big Tech të ndërtojnë qendra të dhënash aty duke ndikuar në zhvillim.

Shteti i Virxhinias disa kohë më parë miratoi një legjislacion për të tërhequr investitorët duke hequr taksën e pronës, që i solli shtetit miliona dollarë fitime. Që atëherë 20 shtete të tjera ndoqën të njëjtën politikë dhe rreth 70 qendra të dhënash janë ndërtuar brenda Virxhinias.

Me hapësirë sa për disa fusha futbolli, qendrat e të dhënave kanë rreshta të pafundmë me kompjutera që përpunojnë të dhëna nga Instagrami dhe deri tek të dhënat e qeverisë, duke u bërë strukturë fitimprurëse për kompanitë si Amazon, Google, Facebook.  Këto qendra konsumojnë shumë ujë dhe energji dhe punësojnë deri në 12 vetë për të mirëmbajtur serverat.

Forbes identifikoi 30 projekte të qendrave të të dhënave në SHBA, në pronësi të firmave të mëdha të teknologjisë, identitetet e të cilëve ishin mbuluar nga emrat e kodit ose SH.PK-të anonime deri pasi u dhanë stimuj tatimor nga qeveria.

Për 15 projekte të nisura që nga viti 2015 vlera totale prej 9.9 miliardë dollarësh u kompensua nga një vlerë prej 811 milionë dollarësh nga zbritjet e taksave.

Çmimi i rënë dakord nga qeveritë me këto kompani anonime të guaskës është shumë i lartë. Ndërsa periudha kohore e stimujve ndryshon, analiza e Forbes tregoi se, mesatarisht, qytetet dhe qarqet po heqin 1 milion dollarë nga të ardhurat tatimore për çdo punë të përhershme në qendrën e të dhënave.

Një studim i vitit 2020 nga universiteti i Columbia dhe Princeton zbuloi se qeveritë lokale heqin dorë nga një mesatare prej 12.000 dollarësh për punë, në vitet kur jepen stimuj tatimor në të gjitha industritë; për shembull, prodhuesve të automjeteve u jepen zakonisht rreth 100.000 dollarë në uljen e taksave për punë për 10 vite. Në projektin Magellan të Google, zbritja e taksave në Columbus arrin në rreth 2.7 milion dollarë për punë për kohëzgjatjen e 15 viteve.

Disa projekte janë edhe më të kushtueshme. Në 2018Facebook negocioi një incentivë prej 150 milion dollarë për një qendër të dhënash në, Utah, për deri në 50 vende pune, ose të paktën 3 milion dollarë për punë. Ishte e para nga disa faza të projektit që mund të merrte deri në 750 milionë dollarë zbritje tatimore. Në 2017, Apple mori 208 milion dollarë në zbritje tatimore për një projekt në Ioëa që do të krijonte 50 vende pune me kohë të plotë, ose më shumë se 4 milion dollarë për punë.

Kompanitë shpesh fshehin projektet dhe SHPK-të e tyre duke funksionuar nën pseudonime për të shmangur rreziqet e mundshme

Ndonjëherë ata theksojnë nevojën për t'i mbajtur projektet e tyre anonimë në mënyrë që ata të mund të shqyrtojnë ofertat. Për të justifikuar incentivat e mëdha të taksave, ata deklarojnë se projektet do të punohen në shumë faza, do të ketë më shumë investime, më shumë vende pune dhe në disa raste shpenzime të mëdha kapitale si fermat diellore ose grantet e komunitetit. Ata gjithashtu tregojnë për qindra punë ndërtimore të kërkuara për ndërtimin e qendrave, të cilat krijojnë një rritje të taksave mbi të ardhurat gjatë fazës fillestare të projektit, por që zhduken sapo tregtarët të jenë larguar.

Apple, Amazon dhe Microsoft nuk pranuan të komentojnë për situatën.

Fshehtësia ka pasur gjithmonë dhe efekt negativ tek vendasit të cilat kanë kundërshtuar dhe vonuar projektet, sidomos lidhur me çështjet mjedisore.

Vetëm pasi Facebook siguroi stimuj tatimor dhe kredi për ujin për një qendër të dhënash në Los Lunas, duke përdorur një pseudonim, grupet e komunitetit dhe politikanët filluan të ngrenë shqetësime në lidhje me qëndrueshmërinë e një objekti që konsumon ujë në mes të shkretëtirës. Rregullatorët lokalë tani po vënë në dyshim përdorimin e energjisë të propozuar nga Facebook mbi shqetësimet se mund të çojë në mungesë të të ardhurave që t'i dërgojë vendasve fatura më të larta të energjisë.

Burimi: Forbes/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë