Njerez

Shqipëria e treta në Europë për aplikimet për azil të fëmijëve. Kërkesë nga mbi 2000 të mitur. Franca shteti i preferuar

Mbi 2 mijë fëmijë nga Shqipëria aplikuan për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe Zvicër në vitin 2020 sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat në raportin e fundit për aplikimet për azil nga fëmijët (personat nën moshën 18 vjeç).

Aplikimet nga Shqipëria përbënin 12% të totalit nga shtetet Europiane (jo anëtarë të BE-së).

 Në vend të parë është Turqia (24% të aplikimeve totale nga Europa) dhe Rusia (23%).

Në vend të katërt është Moldavia me 10% dhe më pas renditet Serbia me 8%.

Sipas Eurostat, në total kishte 2,125 aplikime nga fëmijët shqiptarë në vendet e BE-së dhe Zvicër në 2020-n (nga të cilët gati 83% ishin nën 14 vjeç). Në krahasim me vitin e mëparshëm aplikimet kanë rënë rreth 3 herë për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Destinacioni kryesor i aplikimeve të fëmijëve është Franca ku në 2020-n, ai përbënte 44% të totalit të aplikimeve, e ndjekur nga Gjermania, 22.6%, Greqia 11.3%, Belgjika 6.8%, Italia (5.8%), Suedia (3.7%).

Në vitin 2019, rreth 10% e aplikimeve nga fëmijët u bënë në Mbretërinë e Bashkuar, por në 2020-n, Eurostat nuk ka raportuar të dhëna për shtetin që ka dalë tashmë nga BE-ja.

Aplikimet në total

Sipas Eurostat, në vitin 2020, rreth 129.6 mijë fëmijë paraqitën një kërkesë për herë të parë për azil në BE që korrespondon me 31% të numrit të përgjithshëm të kërkesave për herë të parë të azilit të regjistruar në BE. Midis atyre fëmijëve, 10% ishin të mitur të pashoqëruar që korrespondonin me 3% të numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve për herë të parë.

Në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së, përqindja e fëmijëve në numrin e përgjithshëm të azilkërkuesve për herë të parë ndryshonte në vitin 2020 nga 54% në Gjermani në 6% në Sllovaki, ndërsa pjesa e të miturve të pashoqëruar në numrin e përgjithshëm të azilkërkuesve për herë të parë ishte më e larta në Bullgari (23%) dhe më e ulëta në Spanjë (0,1%). Në Çeki, Estoni, Letoni, Lituani dhe Hungari nuk u regjistrua asnjë aplikim nga të miturit e pashoqëruar.

Në lidhje me vendin e shtetësisë së aplikantëve të mitur për herë të parë të azilit në vitin 2020, më shumë se gjysma (52%) e fëmijëve kishin një shtetësi të një vendi aziatik, 22% afrikane, 13% nga Amerika dhe 9% kishin një shtetësi europiane nga një vend jo i BE-së. Siria, (me 25% të numrit të përgjithshëm të fëmijëve që kërkojnë azil për herë të parë) ishte shtetësia kryesore e azilkërkuesve të mitur për herë të parë në 2020.

Pjesa e të miturve të pashoqëruar në numrin e fëmijëve që kërkojnë azil për herë të parë nga kontinenti ishte 15% për Azinë dhe 11% për Afrikën, ndërsa kjo pjesë ishte e barabartë me 2% për Europën (jo-BE) dhe 1% për Amerikën. Në vitin 2020, vendi kryesor i shtetësisë së aplikantëve të azilit që konsiderohen të mitur të pashoqëruar ishte Afganistani (41% e totalit të BE-së të të gjithë aplikantëve që konsiderohen të mitur të pashoqëruar).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë