Njerez

Në 10 vite të moshuarit në Shqipëri u shtuan me 5%, të rinjtë u pakësuan me 1%

Nga Gazeta 'SI' - Raporti i të rinjve dhe të moshuarve në Shqipëri po bëhet më i thellë, me këta të fundit në përparësi. Eurostat tregon se në 10 vitet e fundit, popullsia e moshuar në Shqipëri është shtuar me rreth 5%, ndërsa ajo e re është ulur me 1%.

Një analizë e Eurostat, tregon se raporti i varësisë së të moshuarve në Shqipëri është 24.4% në 2023-shin. Ky raport shpreh në përqindje personat mbi moshën e punës +65 vjeç me të rinjtë 15-64 vjeç. Në vitin 2002 norma e varësisë ishte 12.3% dhe në 20 vite treguesi është dyfishuar.

Të dhënat tregojnë se mosha mediane në Shqipëri nga 2013-a në 2023-shin është rritur me 3 vite, duke shkuar në 38.5 vjeç.

Ky raport prek në mënyrë direkte skemën e pensioneve. Nëse në skemë ka më shumë pensionistë se sa të punësuar, ajo shkon në një deficit, siç ka qenë vitet e fundit në Shqipëri dhe është krijuar nevoja e financimit të shtetit. Kjo mund të sjellë dhe një rritje të moshës së pensionit.

Në afatgjatë, një raport ku mbizotëron mosha e pensionit tregon një panoramë të zymtë për të ardhmen demografike të vendit dhe tregut të punës.

Eurostat tregon se e gjithë Europa po vuan nga plakja dhe mungesa e të rinjve, si efekt i rritjes së jetëgjatësisë dhe uljes së fertilitetit. Piramida e popullsisë është shndërruar në një romb dhe shumë shpejtë, ajo mund të jetë vetëm një trekëndësh.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë