Njerez

Aktivisti i Luginës së Preshevës, Muharrem Salihu kandidati i parë nga Italia për zgjedhjet në PE

Nga Gazeta 'Si'- Aktivisti politik për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Muharrem Salihu i cili është me prejardhje nga komuna e Medvegjës, është nominuar kandidat për zgjedhjet në Parlamentin Europian.

Nominimi i tij për këtë kandidaturë është bërë nga koalicioni “Stati Uniti d’Europa/Shtetet e Bashkuara të Europës” nga ish-kryeministri italian, Matteo Renzi dhe Emma Bonino.

“Interesi politik i Muharrem Salihut janë të drejtat e shqiptarëve dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Koalicioni Renzi – Bonino angazhohet për themelimin e Shteteve të Bashkuara të Europës”, thuhet në postimin e bërë nga politikani Alush Gashi, i cili ka ndarë lajmin për nominimin e Salihut në garën e madhe të Parlamentit Europian.

Qytetarët e Bashkimit Europian do të votojnë nga 6 deri më 9 qershor për të zgjedhur 720 anëtarë të rinj të Parlamentit Europian për pesë vjetët e ardhshme.Parlamenti Europian është njëri prej tre institucioneve kryesore të BE-së që e udhëheqin bllokun e 27 vendeve.

Së bashku me qeveritë e BE-së, ai vendos për ligjet në lidhje me politikat e përbashkëta europiane dhe për tregun e BE-së që ka gati 450 milionë njerëz. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë