Politike

Shqipëria doli nga lista e monitorimit të KiE, por porosi mbeten lufta ndaj korrupsionit dhe liria e medias

Pas 29 vitesh Shqipëria ka dalë nga lista e vendeve në monitorim nga Këshilli i Evropës, me vendim unanim nga vendet anëtare, por i bëri thirrje autoriteteve të vendit që të bëjnë më shumë në luftën kundër korrupsionit apo lirinë e medias.

Lajmin e ka bëtë të ditur ministri i Jashtëm, Igli Hasani me anë të një postimi në median sociale X ( më parë Twitter), ku falënderon Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës  “për njohjen e reformave transformuese të drejtësisë në Shqipëri, luftën tonë kundër korrupsionit dhe përparimin e Shqipërisë në të drejtat e njeriut dhe demokracinë”.

Përsa i përket vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, akoma në fazën e monitorimit nga Këshilli janë Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia, ndërsa ne i bashkohemi shteteve si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat ndodhen në fazën e post-monitorimit.

Vendimi i Këshillit të Evropës që të nxjerrë Shqipërinë nga lista e vendeve në monitorim, vjen në të njëjtën dinë që i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Çfarë do të thotë faza e post-monitorimit?

Këshilli i Evropës, si një organizatë kryesore e të drejtave të njeriut, ka përfunduar zyrtarisht procesin e monitorimit për një vend anëtar, duke sinjalizuar arritje thelbësore në zhvillimin e vendit drejt normave demokratike, drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Ky vendim shënon përfundimin e një periudhe shqyrtimi dhe bashkëpunimi intensiv që synon të përmirësojë kuadrin legjislativ dhe administrativ të vendit.

Ndërprerja e këtij monitorimi, në rastin e Shqipërisë, tregon se vendi ka përmbushur vazhdimisht kriteret e Këshillit dhe ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe të qëndrueshme.

Kjo lëvizje e Këshillit, pasqyron për vendin tonë një nivel pjekurie dhe stabiliteti që përputhet me qëllimet më të gjera të Këshillit të Evropës për të promovuar integritetin demokratik dhe të drejtat e njeriut në të gjithë kontinentin.

Megjithatë, Komisioni shprehu shqetësimin për polarizimin e mjedisit politik, i cili minon sistemin e kontrollit dhe balancimit të vendit dhe kufizon mbikëqyrjen parlamentare. Ai shprehu gjithashtu keqardhje për mungesën e legjislacionit zbatues për Ligjin e vitit 2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe përkeqësimin e lirisë së medias.

Komiteti u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të trajtojnë këto shqetësime dhe rekomandime në lidhje me luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e pakicave, lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes dhe do të shqyrtojë progresin e bërë në raportin e tij të ardhshëm si pjesë e dialogut pas monitorimit.

Rrugëtimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës

Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës më 13 korrik 1995. Anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës ishte një moment historik i rëndësishëm, duke shënuar angazhimin e vendit ndaj parimeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës pas rënies së regjimit komunist.

Në vitin 1996, menjëherë pas anëtarësimit në Këshill, Shqipëria ratifikoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke afirmuar përkushtimin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Nga viti 1996 deri në vitin 20214, Shqipëria u vendos nën procedurën e plotë të monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE). Ky proces synonte të ndihmonte Shqipërinë në përpjekjet e saj për të respektuar detyrimet e anëtarësimit në Këshill.

Pasi nga Këshilli i Evropës vu re përparim i rëndësishëm në reformat ligjore dhe administrative, Shqipëria kaloi në një fazë dialogu. Kjo fazë fokusohet në fusha specifike si reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e lirisë së medias.

Shqipëria ndërmori reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi, të cilat ishin një hap i rëndësishëm drejt rritjes së pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të institucioneve gjyqësore. Këto reforma ishin gjithashtu thelbësore në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, vendi ynë ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat kanë qenë çështje kryesore si në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, ashtu edhe në qëllimet e saj më të gjera të integrimit evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë