Politike

Protestuesit para Bashkisë, Veliaj del online: Këta sjanë burra, por stan me lepuj. Krenar për llumin kundër nesh (sulmon edhe analistët)

‘Stan me lepuj’, ‘telendare’, ‘llum’, ‘të paburra’, ‘budallenj’ '30 çapaçula me molotov', funderrina, ishin disa nga fjalët që Erion Veliaj përdori në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që kishte mbledhur online, teksa jashtë dyerve të Bashkisë po zhvillohej një protest e paralajmëruar nga një pjesë e opozitës konkretisht nga PD e Rithemelimit, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Mbrojtjen e Qytetarit. Veliaj foli në mbledhje pasi përfundoi përgjigjet e tij në SPAK për inceneratorët.

“Nuk dorëzohem. Do të punoj akoma më shumë. E shijova në mënyrë profesionale shkuarjen në SPAK.  Nëse janë burra të zbresin nga ballkoni i Berishës të zbresin nga paralelja e Metës e të shkojnë në SPAK. Secili prej maskarenjve atje përballë ka interesin e vet"

Ai sulmoi edhe analistë mediatikë të cilët tha ai “janë kundërvënë sepse nuk pranoi të realizonte interesat e tyre”.

“Secili prej analistëve ka kërkuar diçka në Bashkinë e Tiranës. E di ai çfarë ka kërkuar Ben Rreli për atë portalin, që nuk jepet leje në Kopshtin Zoologjik; e di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhet që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme, dhe kur s’e duan në Kosovë, në Shqipëri e shohin akoma më me përbuzje. Prandaj vlerësohet Tirana edhe në Kosovë, se njerëzit më të poshtër, që ata i kanë përzënë, nuk qasen në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë pikë aksesi. Ai që ka ndërtuar pallat në mes të Bllokut e ka shumë kollaj të bëjë emision, se ky kryetar bashkie nuk e lë më të bëjë pallat në mes të Bllokut, duke ia vjedhur tokën e vet motrave Saleziane. Asnjë të mos ketë asnjë iluzon, secili prej atyre që është aty përballë ka interesin e tij, ka fund shpinën e vet interes, nuk i qan halli as për pastrimin, as për ndërtimin e shkollave, por ka vetëm një llogari. Unë llogarinë e kam me qytetarët e Tiranës dhe unë jam krenar që shumica dërrmuese e llumit të analistëve, që nuk kanë qenë mentori i askujt, që nuk i kanë thënë bravo askujt, që nuk kanë rritur asnjë talent të ri edhe t’i thonë ‘ec përpara, shkëlqe’, ‘jam krenar për ty’. Por përkundrazi, sa shohin dikë, i keni parë, janë burra nga 55-60-65-vjeç, që rrinë natën në televizione, sikur janë te ‘peshqirat’, sikur shikojnë Pornhub, dhe të eksituar si ata pitbullët, shqyejnë çdo gjë të re që u kalon përpara. Jam krenar për punët dhe jam krenar për të gjithë llumin e bashkuar kundër nesh, se njerëzit e drejtë vlerësohen jo vetëm çfarë punësh kanë bërë, por edhe sa kanë frymëzuar armiqtë dhe fundërrinat e këtij qyteti të bëhen bashkë si kurrë më përpara. Ata kanë harruar gjithçka kanë thënë për njeri-tjetrin, vetëm të bllokohet puna, vetëm të bllokohet e mira, vetëm të bllokohet progresi”, tha Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë