Njerez

Sfidat e një studenteje nga rrethi që vjen në Tiranë

Fillimi i trazuar i këtij viti akademik, gjetja me vështirësi e një dhome në konvikt dhe buxheti i vogël përballë çmimeve të larta të Tiranës, duket se e ka frenuar disi që në nisje “ëndrrën studentore”. Aq më shumë për ta që Tiranën e shohin si “të huaj.”

Ola Kurti, një 19 vjeçare që vjen nga një fshat i Dibrës rrëfen për Gazetasi.al se nisja e universitetit nuk e gjeti aq entuziaste sa ç’pretendonte se do të ishte kur e mendonte në gjimnaz.

Për të, ashtu si edhe për shumë studentë të tjerë nga rrethet, Tirana më shumë se një kryeqytet është një hap që shënon tranzicionin e rëndësishëm drejt “pavarësisë”.

“Kushdo që vjen nga rrethet e Shqipërisë e di që shkëputja nga familja drejt kryeqytetit nënkupton se tashmë duhet të jesh i zoti i vetes sepse edhe problemet e vogla të përditshme që dikur t’i zgjidhnin prindërit, duhet t’i bësh vetë.

Megjithatë, nisja e universitetit më shumë më ka ngjallur stres se sa më ka emocionuar”, vijon mandej ajo për Gazetasi.al duke shtuar se shkak për këtë janë një sërë faktorësh.

Shumë e vështirë për t’u akomoduar

Ajo ka nisur të kërkojë për një shtëpi që në muajin korrik sepse e dinte që tashmë kështu funksionon. Duhet të parapaguash që në verë që të kesh një shtëpi në tetor.

Por gjetja e saj nuk ishte krejt e lehtë.

Çmimet sa vinin dhe rriteshin. Nuk e dija saktësisht se në çfarë universiteti do nisja dhe isha konfuze për të gjetur një zonë që mund të ishte më e favorshme. Shumë pronarë na konsideronin si ‘qiraxhinj afatshkurtër’ dhe na thonin që nuk preferonin të akomodonin studentë, por familjarë”, thotë ajo për Gazetasi.al.

Në portalet e njoftimeve për banesa me qira apo dhe postime në rrjete sociale, dominojnë vlerat edhe mbi 350 euro. Kosto, sipas saj, tërësisht e papërballueshme nga studentët.

Sfidën më të madhe e pati me kërkimet për një dhomë në konvikt ku të gjitha ishin të zëna.

“Konviktet funksionojnë me njohje këtu. Ende pa u mbyllur njëri vit duket se zihen dhoma për vitin tjetër. Pasi kërkova gjithandej, më në fund falë disa njohjeve familjare u regjistrova në 'Rezistencën Studentore Universitare 2', pranë zonës së ish-Fushës së Aviacionit."

Ajo tregon se aty duhet të paguajë 60 mijë lekë në vit, kosto ca herë më e lirë se marrja e një apartamenti me qira.

Konvikti ku është akomoduar Ola

Sfidat e studentëve për strehim pranohen edhe nga agjentët e pronave të patundshme në Tiranë, të cilët thonë se studentët i penalizojnë çmimet e larta të tregut në krahasim me buxhetin e tyre modest si dhe fakti që nuk janë qiramarrës të qëndrueshëm për pronarët e apartamenteve.

Këtë e theksojnë për Gazetasi.al edhe agjentët imobiliarë nga Remax që shprehen gjithashtu se edhe shtimi i numrit të studentëve është pengesë për ta.

Muaji, i vështirë për t’u përballuar financiarisht

Pavarësisht se nuk i duhet të paguajë shumë për akomodimin, përballimi financiarisht i një muaji në Tiranë është sfidë më vete.

“Vështirësitë për studentët që vijë nga rrethet nisin që me faktin që ka një diferencë të madhe çmimesh. Nëpër rrethe çmimet janë gati të përgjysmuara ndërsa Tirana është si një ‘makineri’ që vetëm kërkon para.

Unë do studioj ekonomi dhe e di shumë mirë se si po ndikon inflacioni por paratë që më sjell familja çdo muaj, nuk do më dalin. Ushqimet janë shumë shtrenjtë, të mos flas më tej për librat e rrobat”, thotë ajo pesimiste për Gazetasi.al ndërsa shton se në Tiranë të del çdo ditë nga një gjë që nuk e kishe menduar, e që në fund të ditës, përkthehet në kosto.

E sheh si të domosdoshme nisjen e një pune part-time, që të paktën shpenzimet që i duhen për rroba dhe sende personale, t’i mbulojë vetë.

Konfuze për universitetin, bojkot apo mësim?

Pavarësisht se për studentët e rinj u bë një prezantim me pedagogët përkatës nëpër universitete, ajo dhe shokët e saj mbetën të paqartë se si do vijojnë më tej.

“U prezantuam me disa nga pedagogët e lëndëve dhe shikuam ambientet e shkollës por mesa po dëgjoja nëpër biseda, nuk e dimë si do vazhdojmë më tej”, thotë ajo referuar protestave që po bën Sindikata e Pedagogëve për një rritje page prej 30% vitin e parë dhe 20% vitin tjetër.

Një supersticioze si ajo, beson se nisja jo e mbarë e këtij viti, është ters.

“Kam frikë se do më shkojë i gjithë viti kështu sepse që në nisje duket gjëja. Studentët e tjerë që nuk janë të rinj mbase e kanë më të lehtë sepse janë mësuar dhe e njohin më shumë tipologjinë e shkollës së tyre, por gjitha vështirësitë na bien ne të rinjve”, vijon ajo duke shtuar se meqë nuk i njeh pedagogët, është e paqartë nëse duhet t’i mbështesë ose jo.

Tirana i duket e largët në ditët e para e njëkohësisht aq e huaj.

“Sigurisht që mos mjaftonin këto është dhe fakti që je larg shtëpisë, në një qytet tjetër. E di që do të mësohem si të gjithë studentët e tjerë, por ndryshe nga ata, brezi ynë nuk po merret vesh nëse e nisi apo jo universitetin.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë