Treg

Pse qiratë e apartamenteve ende po rriten-Eksperti tregon arsyet

Nga Gisela Troplini - Presionit të rritjes sezonale të qirave të apartamenteve në Tiranë dhe kërkesës së lartë, i është bashkuar edhe mungesa e ofertës në treg, ndikuar nga shtyrja e procesit të rindërtimit për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti.

Reinaldo Pipiria, drejtori i Shoqatës së Shoqërisë së Pronave të Patundshme, Narea, në një komunikim me Gazetasi.al, tregoi se familjet e zhvendosura nga tërmeti, që nuk kanë përfituar ende një banesë, po ushtrojnë presion ndaj tregut imobiliar, sidomos në zonat e njohura si Astir dhe Kombinat, ku kërkesa është shumë e lartë.

“Familjet e rialokuara nga tërmeti kanë rritur kërkesën, ndërkohë që në treg nuk ka mjaftueshëm banesa të reja. Në pallatet ekzistente, qiraja është rritur deri në 5% nga një vit më parë dhe në pallatet e reja, nga 15 deri në 30%, për shkak të shtrenjtimit të lëndës së parë në dy vitet e fundit”, - shpjegon Pipiria nga Narea duke shtuar se pesha më e madhe e rritjes së çmimeve i bie pikërisht qiramarrësve dhe studentëve.

Reinaldo Pipiria, drejtori i Shoqatës së Shoqërisë së Pronave të Patundshme, Narea

Të njëjtën gjë raportoi dhe Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë. Për 6 muajt e parë të këtij viti, ka pasur rënie të numrit të banesave të regjistruara për shitje apo qira. Ndërkohë numri i lejeve të dhëna apo ndërtimeve të reja është në rritje.

Njësoj si matjet e BSH-së, Pipiria tregon se kërkesa dhe oferta gjatë kësaj periudhe ka qenë e lartë për blerje banesash dhe se bankat kanë vazhduar financimin e tyre, ndonëse normat e interesit janë rritur.

Sipas Bankës, kjo ka ndodhur sepse bankat kanë lehtësuar standardet e kreditimit për individët dhe se normat e rritura të interesit duken të papërfillshme.

“Një familje e ka më mirë të blejë një shtëpi me një kredi me normë të qëndrueshme për dy vitet e para fillimisht. Ndërsa ata që kanë kredi me normë të ndryshueshme do ta ndjejnë më së shumti indeksimin e nivelit të interesit. Por këstet mujore llogariten që gjithsesi të mbeten nën të ardhurat mujore dhe është e përballueshme”, -shpjegon Pipiria për Gazetasi.al.

Lidhur me njoftimet publike të agjensive imobiliare dhe çmimeve disa fish më të larta se një vit më parë, kreu i shoqatës thotë se janë njoftime që synojnë të huajt zgjedhin Shqipërinë për tu transferuar dhe punuar, dhe nuk i kanë problem çmimet e larta. “Ata vijnë me projekte disa mujore dhe mund të marrin banesa të tipit studio, garsoniere. Më mirë paguan atë se sa një hotel. Ka familje të huaja që vijnë dhe marrin vila.”

Por ai shton se në treg ka gjithmonë hapësirë për spekulime dhe abuzime me çmimet, sipas kushteve apo zonës së gjendur.

Në portalet e njoftimeve për banesa me qira apo dhe postime në rrjete sociale, dominojnë vlerat në euro dhe mbi 350.

Sipas Indeksit të KeyData, pjesë e Çelësi Media Group, në tremujorin e parë 2022, çmimet mesatare përllogariten në 1.143 Euro/m2, me një rritje prej 3.2% në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Në zonën brenda unazës çmimet po arrijnë mesatarisht 1.300 Euro/m2. Në zonën e Bllokut, çmimet i kanë kaluar 1.600 euro/m2. Edhe jashtë zonës së Unazës, mesatarisht një apartament kushton rreth 1 mijë euro/m2.

Indeksi i BSH-së, raporton se në periudhën janar-qershor 2022, vlera e banesave është rritur me 40% në raport vjetor, për shkak të rritjes së lëndëve të para të ndërtimit, përfshirë energjinë elektrike, por edhe për shkak të rritjes së kërkesës. Në parashikimet e tyre, agjentët presin gjithashtu rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat dhe pronat tregtare dhe për qiratë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë