Ngjarje

Çmimet e larta të qirave/ Pronarët refuzojnë studentët, preferojnë familjarë

Nga Ina Ahmetaj - Viti i ri akademik 2022-2023 që nis më 17 tetor, shumë prej studentëve i ka gjetur ende pa akomodim. Shkaku janë refuzimet që po u bëjnë pronarët e banesave në Tiranë.
Ervin Demi, agjent imobilar në një nga zyrat imobilare tregon për Gazetasi.al se rasti më i fundit ishin 2 djem studentë nga Durrësi, të cilët kërkonin banesë me qira në kryeqytet pasi edhe punonin këtu.
Kudo ku kishin kërkuar, ishin refuzuar sepse pronarët e shtëpive kërkonin familjarë.
Ervini thotë se periudha vjeshtë-dimër ka dhe kërkesat më të larta për qira, por edhe çmimet në këtë moment, si çdo gjë tjetër, janë rritur shumë.
"Nuk gjen lehtë çmim 250 euro për banesa 1+1 dhe kjo ka stepur të rinjtë që po i largohen zonave brenda unazës. Unë u kam ofruar shtëpi, në periferi shumë më larg nga shkolla", thotë Ervini për Gazetasi.al.
Sipas tij, pronarët e banesave preferojnë më shumë familje sesa studentë dhe prej dy muajsh, si pasojë e rritjes së çmimeve për blerjen e apartamenteve të reja, po kërkohen shumë banesat me qira.
Për studentë apo familjarë, pronarët nuk bëjnë ndryshime të çmimit, por preferojnë familjarë sepse studentët nuk i mbajnë afatgjatë. Tani po preferohen qiratë afatgjata", thotë agjenti imobilar Ervin Demi".

Qiratë e larta kryesojnë në zona si "Don Bosko", "21 Dhjetori", qyteti "Studenti"

Për shkak dhe të vendndodhjes së disa prej universiteteve publike e private, zona si "Don Bosko", zona e "21 Dhjetorit", "Komuna e Parisit", por dhe shtëpitë apo apartamentet pranë qytetit "Studenti" kanë rritur këtë periudhë çmimet e qirave.
Madje, edhe në zonën e Freskut, 250 euro është qiraja e një hyrje 1+1.
Për shkak se studentët preferojnë hyrje 2+1 sepse bashkohen 2-3 veta, apartamentet e vogla nuk janë të preferuarat e tyre.
Por nëse deri dje, në zonën e "Don Boskos" një apartament 1+1 jepej me qira 250 euro, ky çmim është rritur deri në 300 euro madje dhe 450-500 për të huajt, kur hyrja është e mobiluar komplet.
"Ka shumë kërkesa nga të rinj studentë në këtë periudhë. Vetëm në zonën midis Laprakës dhe Zogut të Zi janë shumë kompani Call center që punësojnë studentë. Kjo kategori nuk kërkon shtëpi larg vendit të punës ndaj kjo zonë është shtrenjtuar.
Pa harruar kërkesat e larta nga shtetas të huaj që punojnë e studiojnë në Tiranë", thotë administratori i një prej kullave të pallateve "Hawai" në zonën e "Don Boskos".

Ndërkohë këtë vit akademik ka patur shtim të kërkesave të studentëve për t'u akomoduar në godinat e studentit. Aktualisht janë lirë rreth 200 shtretër, nga 3456 të tillë në hapësirën akomoduese.
Çmimet për një shtrat nisin nga 4500 lekë deri më 5500 në muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë