Drejtësia

U arrestua për korrupsion, GJKKO liron nga burgu avokatin e Korçës, Arben Lena

Gazeta Si - Avokati i Korçës, Arben Lena, është liruar nga qelia këtë të enjte nga Gjykata e Posaçme, pasi ishte arrestuar për korrupsion.

Sipas vendimit, Lena do të qëndrojë në masën e “arrestit shtëpiak”, deri në përfundim të hetimeve.

Lena, akuzohet si pjesë e grupit të personave që tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarët e Apelit të Korçës për të liruar nga paraburgimi Bledar Kozicin i arrestuar për trafikim emigrantësh.

Hetimet që çuan në pranga Lenën, kanë nisur n dhjetor të vitit të shkuar, ku u vunë para përgjegjësisë penale edhe 6 persona të tjerë.

Me vendim të gjykatës, 3 prej tyre, konkretisht shtetasit Nikoll Hafesllari, Nikoll Jesku dhe Bledar Kozici, u mbyllën në qeli, teksa 3 të tjerë në “Arrest shtëpie” dhe “Detyrim paraqitje”.

SPAK thotë se Hafsellari dhe Jesku, tentuan të paguajnë 5 mijë euro në mënyrë që të zbusnin masën e sigurisë për Bledar Kozicin.

Pjesë e këtyre përpjekjeve, sipas SPAK ka qenë edhe shtetasja Dajana Kodra dhe Arben Lena, të dy me profesion avokatë.

Ndërsa Artiana Kozici, lidhje familjare me personin që do lirohej dhe Dritan Tabaku, janë marrë nën hetim për moskallëzim krimi.

Të hetuarit në këtë dosje kanë rënë pre e përgjimeve të kryera për një tjetër hetime, teksa SPAK ka në verifikim edhe disa persona të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë