Analize

Retorikë nacionaliste dhe qëndrime anti-shqiptare, pse Gordana Davkova është në qendër të kritikave

Nga Gazeta ‘Si’- Deri tani, në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur asnjë presidente grua.

Por trendi u ravijëzua ndryshe që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill kur kandidatja e partisë opozitare VMRO-DPMNE-së, Gordana Silanovska Davkova mori 20% më shumë vota se presidenti aktual, Stevo Pendarovski i cili mbështetet nga Lidhja Social Demokrate në pushtet (LSDM).

Davkova fitoi bindshëm në raundin e parë të zgjedhjeve ndaj Pendarovskit

Aq u desh që zërat të cilët komentonin ardhjen e saj në pushtet të shpeshtoheshin ndjeshëm. Dhe tipikisht, nuk qenë pozitivë.

Davkova, e cila që në krye të herës ka qenë në qendër të kritikave për retorikën e saj nacionaliste dhe deklaratat konservatore, ka ngritur dilemat në opinionin publik lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian.

Njëherazi, në qarqet dhe tryezat diplomatike po diskutohet sakaq mundësia që marrëdhëniet ndëretnike të ashpërsohen me ardhjen e saj në pushtet. Aludimet e tyre lidhen kryesisht me qëndrimet e saj për Marrëveshjen e Prespës.

Marrëveshja e Prespës që solli paqen... të cilën Davkova lobon ta ndryshojë

Në fshatin Nivicë, në bregun e Liqenit të Prespës nga ana greke, më 17 Qershor 2018, Maqedonia e Veriut dhe Greqia nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, me të cilën u mbyll kontesti shumëvjeçar midis dy vendeve për emrin dhe u zhbllokua rruga e Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s.

Me Marrëveshjen e Prespës, vendi ndryshoi emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, dhe kodet e targave të automjeteve nga MK u bënë NMK.

Marrëveshja e cila atëbotë u nënshkrua në prani të kryeministrave të atëhershëm, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, ka qenë ngahera e kontestuar nga VMRO-DPMNE-ja.

“Asnjë proces në histori nuk është njëkahësh”, deklaroi Davkova referuar ndryshimit të marrëveshjes pasi jo rrallë e ka konsideruar atë një shembull brutal të realpolitikës, mosrespektimit të ligjit kombëtar dhe vullnetit të popullit.

Ndonëse fryma e euroskepticizmit në Maqedoni e ka patur burimin edhe para Marrëveshjes të Prespës, një ardhje e Davkovës në pushtet dhe narrativa e saj kanë rikthyer polarizimin ngacmues që përdor sot partia opozitare për ringjalljen e nacionalizmit.

Qëndrimet e Davkovës për këtë marrëveshje kanë qenë edhe ‘karta’ me të cilën ka luajtur më shumë gjatë tubimeve politike kundërshtari i saj, Pendvarovski.

“A do t’i besoni dikujt që thotë se të gjitha marrëveshjet që sollën paqen duhet të ndryshohen, të rishikohen dhe të sjellim marrëveshje tjera pa e ditur se çfarë efekti do të kenë. Nëse nuk di se çfarë duhet të bësh me Marrëveshjet e Ohrit, Prespës, Kornizën negociuese me BE-në dhe nëse kërkon ndihmë nga ekspertët, mos kandido për presidente”, iu drejtua ashpër ai asaj.

Marrëveshja e cila atëbotë u nënshkrua në prani të kryeministrave të atëhershëm, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, ka qenë ngahera e kontestuar nga VMRO-DPMNE-ja.

Kritikat për qëndrimet anti-shqiptare dhe “diskursi hakmarrës”

Gjatë një tubimi elektoral në Kumanovë, Davkova propozoi krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-shit, mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me komandat Ali Ahmetin dhe forcave policore e ushtarake maqedonase.

Davkova citoi të drejtën ndërkombëtare, e cila, në vlerësimin e saj, thotë se disa vepra kundër njerëzimit nuk vjetërsohen asnjëherë.

Lufta në Maqedoni filloi më 22 janar të vitit 2001 dhe përfundoi më 13 gusht të po atij viti, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ajo erdhi si rezultat i keqtrajtimit sistematik që regjimi maqedonas u bënte shqiptarëve që jetonin në Maqedoni.

Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte komandat suprem Ali Ahmetin, aktualisht kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim – forca më e madhe politike shqiptare në Maqedoni të Veriut.

Reagimet për deklaratën e saj ishin menjëherë të ashpra nga pala shqiptare.

I pari që bëri thirrje për ta mos e votuar atë ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili doli edhe jashtë linjës së kryeministrit Albin Kurti dhe tha se çdo votë ndaj saj do të ishte votë antishqiptare.

“Sa i kam parë unë personalisht konceptet politike që ka zhvilluar edhe Gordana Siljanovska-Davkova, ato janë koncepte shumë anti-shqiptare, ka një dyshim për popullatën shqiptare atje. Jam shumë kundër tyre. Unë do të isha kundër çfarëdo mbështetje të çfarëdo shqiptari për koncepte të tilla, për arsye se unë i kam dëgjuar ato me vëmendje. Është një koncept antishqiptar që e ka shpjeguar vetë kjo kandidate”, shtoi ai ndërsa i gjykoi ato si koncepte në dëm të shqiptarëve.

Nga ana tjetër ministri i jashtëm, Bujar Osmani tha se diskursi nacionalist që së fundmi VMRO është duke e përdorur, është tregues i qartë për mentalitetin e kësaj partie.

“Është deklaratë skandaloze, e cila veçanërisht në këtë ditë të 2 majit ka prekur rëndë dinjitetin e çdo shqiptari, por jo vetëm shqiptarëve, edhe komuniteteve tjera që kanë përfituar nga ajo kryengritje, nga Marrëveshja e Ohrit, më tepër flet për mentalitetin hakmarrës”, tha Osmani në një konferencë për media.

Megjithatë, deklaratat e saj duket se nuk kanë qenë mjaftueshëm kritike aq sa për të mbajtur akoma në pushtet LSDM-në. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u rrekën të ndryshojnë kursin politik në vend dhe kësaj here po zgjedhin të priren nga partitë e spektrit të djathtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë