Ne rrjet

Replika në RMV/ Pendvarovski dhe Davkova debat për marrëveshjen e Ohrit, Osmani dhe Taravari për tubimet në sheshin e Tetovës

Nga Gazeta ‘Si’ - Tubimet parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut po shoqërohen me debate dhe replika si nga kandidatët presidencialë të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ashtu edhe nga kryetarët shqiptarë të BDI-së dhe koalicionit VLEN.

Stevo Pendarovski gjatë tubimit në Tetovë ndërsa bëri thirrje që të rinjtë të mos largohen nga vendi iu drejtua popullit duke i thënë se nuk mund t’i besojnë Gordana Davkovës që thotë se të gjitha marrëveshjet që sollën paqe duhet të ndryshohen.

“Leni anash ndasitë partiake, ndasitë etnike, mendoni si prindër, si individë, si njerëz. A do t`i besoni dikujt që thotë se të gjitha marrëveshjet që sollën paqën duhet të ndryshohen, të rishikohen dhe të sjellim marrëveshje tjera pa e ditur se çfarë efekti do të kenë. Nëse nuk di se çfarë duhet të bësh me Marrëveshjet e Ohrit, Prespës, Kornizën negociuese me BE-në dhe nëse kërkon ndihmë nga ekspertët, mos kandido për president” – tha Pendarovski.

Ndërkohë nga Kumanova, kandidatja presidenciale e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, u shpreh e bindur se në rrethin e dytë zgjedhor do të rritet diferenca në 3 me 1 ndaj kundërkanditatit.

“Debati nisi, me argumente, me debate dhe projekte. Këta njerëz janë të lodhur nga fuqia. Ne nuk duam fuqi, por autoritet të merituar. Më 8 maj pres vullkan politik. Ende kanë idealizëm se në mënyrë magjike mund të ndodh diçka. Më 8 maj rezultati do të jetë 3 me 1” – deklaroi Siljanovska Davkova.

Krerët shqiptarë debat për tubimin në sheshin Iliria

Ndërkohë paralajmërimi për tubimin përmbyllës për një ditë në Tetovë, ka shkaktuar përplasje në mes Frontit Europian dhe VLEN-it.

Këta të fundit sot në një deklaratë për media thonë se Artan Grubi po shpërndan informacione të pavërteta me qëllim për të mashtruar opinion dhe për të hedhur pluhur syve ndaj qytetarëve shqiptarë.

 Nga VLEN thonë se ata do ta mbajnë tubimin qendror më 6 maj në sheshin “Iliria” në Tetovë.

“Siç po duket BDI nuk mund të pajtohet me realitetin se vendi nuk mund të funksionojë sipas dëshirave personale të Artan Grubit dhe si ja do qejfi Ali Ahmetit, por se shteti funksionon sipas ligjit. Andaj ju njoftojmë se Koalicioni VLEN do të mbajë tubimin e tij qendror më 6 maj në Sheshin Iliria në Tetovë. Kjo është caktuar në formë ligjore duke bërë fillimisht kërkesë deri tek Komuna e Tetovës, e cila më datë 18 prill ka dhënë pëlqimin e saj që VLEN të mbajë tubimin e saj në sheshin e Tetovës. Këtë e dëshmojmë me dokumentin e pëlqimit të dhënë nga ana e Komunës së Tetovës.

Po ashtu, sipas të gjitha normave juridike, në kohë është informuar edhe Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë. Fronti i BDI-së duhet ta dijë se institucionet shtetërore nuk janë pronë private e Artan Grubit e Ali Ahmetit që ata të shfrytëzohen sipas dëshirës së tyre e për interesat e tyre personale. Por ka rregulla dhe ligje se si mund të veprohet në të. E as Tetovën nuk e kanë pronë të Babës, por Tetova është pronë e qytetarëve dhe funksionon sipas ligjeve”, deklaruan.

Dje reagoi edhe Fronti Europian, prej ku paralajmërimin për tubimin qendror në Tetovë nga VLEN, e quajtën provokim dhe kërkuan që të tërhiqen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë