Ne rrjet

Dy palë zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, presidenti i ri ‘në dorën’ e shqiptarëve

Nga Gazeta ‘Si’ - Maqedonia e Veriut mban sot raundin e dytë të zgjedhjeve Presidenciale, por njëkohësisht votohet edhe për ato Parlamentare.

Gara për Parlament

Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Europian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.

Në radhët e Frontit Europian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.

Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse.

Partitë shqiptare betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.

Bazuar në sondazhet, dhe në veçanti në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill, VMRO DPMNE-ja është favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje.

Davkova vs Pendarovski… në duar edhe të shqiptarëve

Në garën për president janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkovae VMRO-DPMNE-së në opozitë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social Demokrate në pushtet.

Në raundin e parë, Davkova fitoi 363.000 vota, apo 40 për qind - ndërsa kundërshtari i saj Pendarovski rreth 180.000 vota, 19 për qind.

Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet të fitojë shumicën e votave të qytetarëve, kërkohet edhe që dalja në zgjedhje të jetë së paku 40 për qind e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore, ose rreth 725.000 votues.

Nëse plotësohet pragu prej 40 për qind për zgjedhjen e presidentit, Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën, më 12 maj.

Nga kandidatët shqiptarë, më shumë vota në rundin e parë mori Bujar Osmani nga BDI gjithsej 120.000 vota. Ndërsa, Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN, mori 83 mijë vota.

BDI-ja publikisht nuk ka dalë me qëndrim nëse do të mbështesë ndonjërin kandidat apo do të bëjë ftesë për bojkot, por eksponentë të saj, në rrjetet sociale në vazhdimësi kanë bërë thirrje që më 8 maj të bojkotohen zgjedhjet presidenciale.

Edhe nga koalicioni VLEN nuk kanë bërë thirrje për dalje në votime për zgjedhjen e presidentit, por bazuar në qëndrimet e drejtuesve të saj, dhe takimit të 6 majit të Arben Taravarit me kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si edhe qëndrimeve të eksponentëve të saj në rrjetet sociale, atëherë votuesit e saj mund të dalin në votime për zgjedhjen e presidentit.

Po nëse nuk arrihet pragu zgjedhor?

Pa pragun zgjedhor, opsion është që të caktohet mandatari për formimin e Qeverisë së re nga kryeparlamentari në largim, Jovan Mitrevski, dhe opsioni i dytë është që së pari të konstituohet Parlamenti i ri dhe kryetari i ri i Parlamentit t’i japë mandatin liderit të partisë që ka fituar shumicën prej 61 deputetëve për formimin e Qeverisë së re.

Novakovski thotë se pa pragun zgjedhor prej 40 për qind, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i konsideron zgjedhjet presidenciale si të pasuksesshme dhe në afat prej 40 ditësh, Parlamenti duhet të shpallë zgjedhje të reja presidenciale.

Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka ankesa nga kandidatët dhe partitë politike. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat ligjorë për këtë rast.

Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e të 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi. Procesi zgjedhor zhvillohet në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohen nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë