Ka ndodhur

Lushnjë, babai plagos me armë zjarri vajzën e tij dhe më pas vetëvritet. Shkak dyshohet divorci i 40-vjeçares

Gazeta Si - Një 82-vjeçar, Behar Mursaku, i ka dhënë fund jetës në Lushnjë, pasi ka plagosur më parë me armë gjahu vajzën e tij 40 vjeçare, Rudina Mursaku, nënë e dy fëmijëve.

Mësohet se kjo e fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka marrë plagë në bark. Siç mësohet, ajo kishte shkuar të jetonte te familja e të atit para një jave, ndërsa shkak dyshohet të jetë divorci i saj nga bashkëshorti.

“Pse bredh?! Je pa burrë, mos ik lart e poshtë!”, sipas familjarëve, kështu mësohet t’i ketë thënë 82 vjeçari Behar Musaku vajzës së tij, para se ta qëllonte me çifte.

Siç duket divorci i 40 vjeçares ishte kthyer në një pikë të nxehtë debatesh të herëpashershme mes babë e bijë. Debate që çuan në ngjarjen e rëndë, ku Rudina Musaku është në spital në gjendje kritike, ndërsa i moshuari i ka dhënë fund jetës së tij. E pranishme gjatë sherrit mes tyre, kishte qenë dhe gruaja e 82 vjeçarit.

“Rreth orës 15:15, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, shtetasi B. M., rreth 82 vjeç, dyshohet se pas një konflikti të çastit, ka plagosur me armë gjahu të cilën e dispononte me leje, vajzën e tij, shtetasen R. M., rreth 40 vjeçe, dhe më pas dyshohet se ka vrarë veten. Shtetasja R. M., ndodhet në spitalin e Lushnjës, në kujdesin e mjekëve, në gjëndje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave, dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, thotë Policia e Lushnjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë