Ne rrjet

Pakti i Mickoskit me Taravarin në Shkup / Konjufca ‘jashtë linjës’ së Kurtit: Çdo votë për Davkovën është antishqiptare

Nga Gazeta ‘Si’- Takimi i së hënës i kreut të VMRO-së, Hristjan Mickoskit me liderin e VLEN, Arben Taravarin, i mbështetur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duket se trazoi edhe radhët e mbështetësve më të mëdhenj të atij kolacioni.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, doli jashtë linjës së Kurtit ditën e djeshme kur pasi njoftoi se nuk kishte qenë në dijeni për takimin, tha mandej se nuk do të kishte preferuar që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të votojnë kandidaten e VMRO-DPMNE-së për presidente.

Ai deklaroi se Gordana Siljanovska-Davkova, nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, ka koncepte antishqiptare, prandaj edhe nuk meriton mbështetje. Konjufca iu referua komenteve te Davkovës e cila zhvilloi një fushatë me retorikë nacionaliste duke propozuar edhe formimin e një tribunali për luftën e UÇK-së së vitit 2001.

“Sa i kam parë unë personalisht konceptet politike që ka zhvilluar edhe Gordana Siljanovska-Davkova, ato janë koncepte shumë anti-shqiptare, ka një dyshim për popullatën shqiptare atje. Jam shumë kundër tyre. Unë do të isha kundër çfarëdo mbështetje të çfarëdo shqiptari për koncepte të tilla, për arsye se unë i kam dëgjuar ato me vëmendje. Është një koncept antishqiptar që e ka shpjeguar vetë kjo kandidate”, shtoi ai ndërsa i gjykoi ato si koncepte në dëm të shqiptarëve.

Pas pikëpyetjeve që ngriti takimi i Mickoskit dhe Taravarit ku u diskutua nëse kreu i opozitës maqedonase shkoi për të kërkuar mbështetje për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale apo për të siguruar një marrëveshje paraprake për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, aludime u ngritën edhe pas deklaratës së Konjufcës.

Për shumë analistë politikë, fakti që numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje deklaron se nuk ishte në dijeni të atij takimi dhe më pas bën komente që shkojnë kundër linjës së Kurtit, ngrejnë dyshimet nëse kemi të bëjmë me një veçim apo vetëveçim të tij nga LVV-ja?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë