Ne rrjet

Pas fitores së Davkovës, Maqedonia e Veriut dhe Marrëveshja e Prespës në fokus të mediave greke

Nga Gazeta 'Si'-Për përdorimin e emrit “Maqedoni”, pa përcaktimin “E Veriut”, në respektimin e Marrëveshjes së Prespës, por edhe në qëndrimin e Greqisë për çështjen konkrete, mediat greke po shkruajnë analiza pas fitores bindëse të VMRO-DPMNE-së dhe ndryshimit në skenën politike.

Gazeta “Ta nea” në artikullin me titull “Obligimi i tyre është respektimi strikt i Marrëveshjes së Prespës” shkruan se “Athina me interesim të shtuar dhe qetësi e ndjek ndryshimin në skenën politike në Shkup”, ndërsa burime diplomatike greke thanë se zgjedhjet janë proces demokratik “rezultati i të cilave do të respektohet, çfarëdo që të jetë”.

Në të njëjtën kohë nënvizuan se “pozicionet mjaft minuese në raport me Marrëveshjen e Prespës, të cilat publikisht u shprehën në periudhën parazgjedhore nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski nuk mbetën pa u vërejtur dhe në asnjë rast nuk i përmbushin kërkesat e Athinës".

“Obligim i Shkupit është ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, vërejnë qarqet diplomatike nga Greqia, duke cekur se Maqedonia e Veriut pa dyshim është vend i rëndësishëm në rajonin më të gjerë me të cilin dëshirojmë të kemi marrëdhonie të mira fqinjësore dhe të cilin e mbështesim në raport me perspektivën e saj evropiane”, shkruan “Ta nea”.

Gazeta transmeton edhe burime diplomatike nga Shkupi, “të cilat e hedhin poshtë mundësinë që VMRO-DPMNE ta vendosë në rrezik respektimin e asaj që është përfshirë në tekstin e Marrëveshjes së vitit 2018 mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

“Kushdo që është në pushtet, Marrëveshja e Prespës do të respektohet në tërësi, vlerësojnë nga Shkupi, duke potencuar se fare nuk është e rastësishme që në tekst të Marrëveshjes së Prespës nuk ka klauzolë që përmendë afat vlefshmërie.

“Kjo do të thotë se Marrëveshja e Prespës është nënshkruar dhe është këtu për të mbetur”, vërejnë burimet e njejta diplomatike, shkruan “Ta nea”.

Gazeta “Kathimerini” i transmeton hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve, duke folur për inaugurimin e presidentes se atëherë do të shihet nëse raportet me Athinën “do të vazhdojnë të lëvizin në klimë të matur ose do të fillojë periudha e re e trazirave, me Shkupin të hapë front të ri me Greqinë në momentin kur përçarja me Bullgarinë e rrezikon perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut”.

Njejtë si “Ta nea” edhe “Kathimerini” transmeton burime diplomatike greke të cilat jozyrtarisht potencuan se pushteti i ri në Shkup “ka për obligim ta respektojë në mënyrë strikte Marrëveshjen e Prespës e cila është marrëveshje ndërkombëtare, e cila prodhon obligim për vendin fqinj dhe është parakusht për zhvillim të rrjedhës së saj europiane”.

Eksperti dhe analisti për çështje ndërkombëtare, profesori Konstantinos Filis, duke folur për televizionin grek Antena theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve “fillojnë nga zeroja”.

“Ky është realiteti, sepse kemi Qeveri e cila është armike e Marrëveshjes së Prespës, e cila ka kërcënuar se do të tentojë ta torpedojë. Kjo nuk është lehtë. Flasim për marrëveshje ndërkombëtare dhe marrëveshjet e këtilla anulohen vetëm me pajtim të të dy shteteve. Greqia madje do të mund ta çojë Maqedoninë e Veriut para gjykatës ndërkombëtare në rast të mospërmbushjes së obligimeve apo anashkalim të disa pjesëve të Marrëveshjes”, theksoi Filis.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut janë një nga temat kryesore në medat në Greqi, të cialt transmetojnë qëndrime, deklarata dhe analizojnë çfarëdo lloj qëndrimi të Athinës zyrtare, përderisa, siç kumtoi dje MIA, zëdhënësi i Qeverisë greke, pavlos Marinakis në mbledhjen e rregullt me gazetarë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Jorgos Gerapetritis në një intervistë për radio, dolën me qëndrim për ndryshimin në skenën politike.// Koha.mk


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë