Ngjarje

Reduktohet numri i policëve në Vetting, prezantohet kontrolli periodik nga AMP

Procesi i rivlerësimit të punonjësve të Policisë së Shtetit është pezulluar prej kohësh, ndërsa ligji pritet që t’u nënshtrohet disa ndryshimeve, që sipas Ministrisë së Brendshme reflektojnë rekomandimet dhe shqetësimet e Këshillit të Europës përmes GRECO-s.

Sipas rekomandimit numër 5 të GRECO-s, vettingu në radhët e policisë sipas parashikimeve në fuqi të ligjit rrezikon që të ketë si efekt anësor largimin nga trupa policore e një numri të madh të stafit të kualifikuar.

“Në vetingun e përkohshëm është shfaqur një shqetësim specifik. Ka të ngjarë që si rezultat i tij të largohet nga forca policore një numër i konsiderueshëm i stafit të kualifikuar, duke e bërë të vështirë ushtrimin e funksioneve kryesore të policisë”, thotë GRECO.

Në vend të kësaj, Këshilli i Europës këshillon që vettingu i përkohshëm të zëvendësohet me kontrolle periodike për pjesën më të madhe të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe rivlerësimi të kryhet vetëm për drejtuesit e lartë dhe pozicionet që perceptohen me risk të lartë korruptimi.

“Drejtësia dhe efektiviteti i procesit janë gjithashtu në diskutim, pasi ai nuk trajton në mënyrën e duhur të gjitha rreziqet e mundshme të integritetit. Prandaj, duhet të zëvendësohet me kontrolle të rregullta të integritetit gjatë karrierës së policisë. Gjithashtu, rregullat e duhura pas periudhës së punësimit duhet të rishikohen në këtë kontekst”, thotë GRECO.

Këto rekomandime janë reflektuar në draftin që ka gati Ministria e Brendshme. Sipas draftit, numri i punonjësve që do të kalojnë në sitë për integritetin, pasurinë dhe profesionalizimin do të reduktohet ndjeshëm. Vettingu do të përqëndrohet te nivelet menaxhuese dhe strukturat me risk të lartë korrupsioni.

Sipas ndryshimeve të propozuara, vettingut do t’u nënshtrohen drejtori dhe zv.drejtorët në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, drejtorët e departamenteve, drejtorët e strukturave të veçanta, drejtorët dhe zv.drejtorët e qarqeve, drejtorët në drejtoritë e kufirit dhe migracioni, shefat e komisariateve, shefi i sektorit në nivel qendror e vendor që mbulon fushën e krimit të organizuar, krimin ekonomik dhe atë të Policisë Rrugore.

Këto pozicione, sipas projektligjit konsiderohen me risk të lartë korrupsioni, ndaj veç vlerësimit periodik që do të jetë çdo pesë vjet, do t’u nënshtrohen edhe vettingu kalimtar. Drafti vendos si afat përmbylljen e rivlerësimit për një subjekt brenda 6 muajve.

Sa i takon vlerësimit periodik 5-vjeçar, ai do të kryhet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Ish-SHÇBA) përmes punonjësve që më parë e kanë kaluar vettingun kalimtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë