Komunitet

Vettingu në Polici, Ligji i dytë: 12 mijë në lupë, kosto 3 milionë USD

Një vit nga miratimi i ligjit për kryerjen e Vettingut në Policinë e Shtetit, në Gardën e Republikës, qeveria merr nismën për rishikimin e procesit që do të fusë në sitë uniformat blu në Shqipëri. Ministri Sandër Lleshaj ka rrëzuar ligjin e miratuar nga paraardhësi i tij, Fatmir Xhafaj, duke bërë që procesi të rrëzohet, e për të nisur me një skemë tjetër. Nisma është e hartuar nga ministria e Brendshme, pritet të miratohet së shpejti në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.

Nisma e dytë e ligjit “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të policisë së shtetit, gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, shfuqizon pjesën më të madhe të neneve.

Procesi i Vettingut brenda radhëve të Policisë do t’i besohet Shërbimit të Çështjet e Brendshme dhe Ankesave brenda Ministrisë së Brendshme, si dhe Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. Të gjitha komisionet e tjera të parashikuara në ligjin e parë që është në fuqi nuk e gëzojnë më këtë kompetencë. “Organet e vlerësimit kalimtar janë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit dhe Komisioni Vendor i Vlerësimit”, thuhet në pikën 1 të nenit 5 të ligjit aktual, cili kërkohet të shfuqizohet.

Fakismile e projektligjit për procesin e Vettingut në Shqipëri


Fazat e Vettingut, shkaku i ndryshimit kostoja
Sipas relacionit të draftit të ri të Ministrisë mekanizmi i parashikuar në ligjin ekzistues parashikon ngritjen e një serie organesh për vlerësimin kalimtar të punonjësve të institucioneve në varësi të Ministrisë së Brendshme.

“Sipas këtij modeli “ujëvarë”, vlerësimi kryhet në tri faza, ku në çdo fazë vlerësohen afërsisht 300, 3 000 dhe 9 000 punonjës. Numri i anëtarëve të komisioneve vlerësimit dhe sekretariateve teknike mbështetëse është parashikuar të jetë 30, 90 dhe 270”, thuhet në relacion e disponuar nga Gazeta Si.

Më tej theksohet se jo skemë ka disa avantazhe dhe disavantazhe, pasi nga njëra anë garanton pavarësi, paanshmëri dhe pronësi të procesit të vlerësimit nga vetë strukturat, ndërsa nga ana tjetër kërkon impenjim domethënës të burimeve materiale dhe atyre njerëzore.

Këto dy disavantazhe, pra fakti që kërkohet impenjim i konsiderueshëm i burimeve njerëzore të vetë strukturave, duke pasur parasysh se plot 240 punonjës të nivelit të lartë dhe të mesëm duhet të shkëputen nga detyrat e tyre funksionale dhe të kryejnë procesin e vlerësimit dhe sidomos aspekti financiar, ku sipas parashikimeve procesi i vlerësimit do të kushtojë rreth 300 milionë lekë ose rreth 3 milionë dollarë amerikanë.

“Në këto kushte, duke pasur parasysh se vetë elementi financiar ishte një nga arsyet që solli vonesa në implementimin e procesit, Ministria e Brendshme, pas një analize të thellë dhe shumëplanëshe propozon një mekanizëm të ri për vlerësimin, i cili mund të arrijë po të njëjtat objektiva, pra të pavarësisë, paanshmërisë dhe objektivitetit të procesit, me më pak kosto për buxhetin e shtetit” thuhet në relacionin e siguruar nga Gazeta Si.


Pavarësisht se do të shpenzohet një shumë e konsiderueshme për këtë proces vettingu, i cili ka marrë spunto nga ai që po realizohet nga Reforma në Drejtësi, me mekanizmin e ri vlerëson se ngarkimi i SHÇBA-së me vlerësimin e punonjësve në fazën e dytë dhe të tretë, pra rreth 12 000 punonjës, i kursen buxhetit të shtetit rreth 260 milionë lekë duke minimizuar kostot shtesë.
Kriteret e vlerësimit ngelen po ato, pra vlerësimi i figurës, pasurisë dhe i profesionalizmit, siç ngelet po e njëjtë edhe procedura e vlerësimit.

Ndryshimi i dytë thelbësor, që vlerësohet nga Ministria e Brendshme, qëndron në faktin se propozohet që të jetë SHÇBA-ja ajo që do të kryejë vlerësimin e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, pra punonjësit e nivelit të mesëm drejtues dhe atyre të nivelit bazë.

Propozohet që punonjësit e SHÇBA-së të kalojnë të gjithë vlerësimin në fazën parë. Sot ligji në fuqi parashikon që vetëm Drejtori i Përgjithshëm, Zëvendësdrejtori, drejtorët dhe shefat e sektorëve e kalonin vlerësimin në fazën e parë. Vlerësimi i fazës së parë kryhet nga një Komision i Jashtëm me 15 anëtarë, i asistuar nga një sekretariat teknik me po 15 anëtarë.

Ky mekanizëm i ri parashikon që të shkurtojë kohën e vlerësimeve individuale, sa kohë një pjesë e madhe e informacioneve për punonjësit e Policisë apo Gardës gjenden në arkivat e vetë SHÇBA-së si organi i ngarkuar me monitorimin e punës së tyre dhe në veçanti me aspektet e integritetit, pa harruar rolin e vetë SHÇBA-së në proceset e pajisjes me certifikatë sigurie. SHÇBA ka në arkivat e saj edhe dosjet e policëve me shkeljet që kanë kryer.
Projektligji, sipas relacionit të disponuar nga Gazeta SI nuk cenon fazën e parë të vlerësimit. Në këtë fazë, Komisioni i Jashtëm do të vlerësojë punonjësit që mbajnë grada apo funksione të larta në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe të gjithë punonjësit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
Ligji i mëparshëm parashikonte që procesi i Vettingut të përfundonte brenda dy vitesh, pra brenda vitit 2020, por vonesat e shkaktuara kanë bërë që me nismën e re të mos parashikohet një afat se kur do të përfundojë vlerësimi i 12 mijë punonjësve të Policisë së Shtetit.
“Neni 9, shfuqizon nenin 68 të ligjit, duke eliminuar afatin 2-vjeçar për përfundimin e procesit. Procesi filloi me gati 9 muaj vonesë dhe nuk mendohet se ky afat mund të respektohet”, thuhet në nismën më të fundit të ministrisë së Brendshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë