Politike

Raporti / OFL u ngrit kundër standardeve ndërkombëtare! Vettingu në polici e drejtësi, shembull

Përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar jo gjithmonë kanë qenë në harmoni me standardet ndërkombëtare. Një raport i Global Initiative Against Transnational Crime ndalet te paketa anti-KÇK e miratuar vitin e kaluar përmes një akti normativ nga ana e Qeverisë dhe konfirmuar më vonë nga Parlamenti.

“Në disa raste, masat dhe institucionet e ngritura nuk ishin në linjë me praktikat ndërkombëtare. Si shembull, në Shqipëri Kryeministri deklaroi paketën “KÇK” me shtatë pika për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ligji special i dha kompetenca ekstra Policisë së Shtetit dhe krijoi një njësi speciale me fuqi të jashtëzakonshme”, thuhet në raportin e publikuar këtë javë nga GIATC.

Raporti i referohet strukturës “Operacioni Forca e Ligjit”, që veproi deri në fund të vitit të kaluar dhe e qortuar nga shoqëria civile si nismë që binte ndesh me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ndërsa nga Partia Demokratike si mjet që i shërbente veç propagandës.

Një tjetër vërejtje që mbërrin nga raporti është zbatimi i ligjit për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre. “Sinjalizuesit” funksionojnë në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2016, që ka për qëllim parandalimin dhe goditjen e korrupsionit si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Ligji parashikon mbrojtjen e individëve që sinjalizojnë pranë ILDKPI veprime, apo praktika të dyshuara të korrupsionit në vendet e tyre të punës. Sipas parashikimeve ligjore, njësitë e sinjalizimit ngrihen pranë çdo autoriteti publik që ka mbi 80 të punësuar dhe pranë çdo subjekti privat që ka më shumë se 100 persona të punësuar.

“Pavarësisht se është cilësuar si një prej ligjeve kryesore kundër korrupsionit, ligji duhet ende që të prodhojë rezultate, edhe pse ka 4 vite që ka hyrë në fuqi”, thotë raporti.

Por çfarë i pengon sinjalizuesit?

“Njohja e paktë e këtij ligji, mosbesimi te institucionet publike, frika nga hakmarrja janë faktorët që kanë penguar zbatimin e këtij ligji”, vëren raporti.

Vettingu në drejtësi dhe ai në radhët e Policisë së Shtetit përshënden në raport si shembuj që duhen ndjekur edhe nga vendet e tjera të rajonit.

“Këto reforma janë përshëndetur e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar. Për rezultatet e tyre është herët për të folur, por vlen të përmendet se që të dyja nismat bazohen në një kuadër ligjor të miratuar dhe mekanizma të mirërregullur për zbatimin e këtij kuadri. Kjo shton shpresën se gjërat do të përmirësohen në të ardhmen”, thuhet mes gjetjeve të raportit në fjalë.

Global Initiative Against Transnational Crime vë theksin te pandëshkueshmëria, ose zbutja e dënimeve për rastet e korrupsionit elitar.

“Shumë çështje që lidhen me korrupsionin nuk raportohen, nuk hetohen nga prokuroria, ose shkojnë në gjykatë dhe rrëzohen. Rastet me të dënuar për këto akuza janë të ulëta dhe shpesh me ndëshkime shumë të lehta”, thekson raporti.

Mes gjetjeve citohet rasti i një gjyqtareje të lartë në Shqipëri, e dënuar për korrupsion me 4 vite burg, por që iu konvertuan në shërbim prove dhe përjashtim për 5 vite nga sistemi i drejtësisë. Ndëshkimet e ulëta dhe shpesh mbyllja e hetimeve, thotë raporti, demoralizojnë publikun dhe minojnë besimin e tij te institucionet e drejtësisë.

“Si rrjedhojë, publiku në të gjithë rajonin nuk ka besim te policia, prokuroria dhe gjyqësori. Këto tre institucione perceptohen si jashtëmase të korruptuara”, thotë raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë