Mendim

Pse inceneratorët nuk janë një zgjidhje për problemin e mbetjeve

Nga Sarah Newman - Ndërsa udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Dubai për Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP28), Emiratet e Bashkuara Arabe kanë prezantuar projektin për ndërtimin e inceneratorit që do të ketë kapacitetin më të madh në botë të prodhimit të energjisë nga djegia e mbetjeve (WTE) .

Impianti është projektuar të përpunojë 2 milionë tonë metrikë mbetje në vit, duke prodhuar energji elektrike të mjaftueshme për të furnizuar 120.000 familje në vit, duke djegur të gjitha mbeturinat. Paradoksalisht, kjo është sa një risi e viteve të fundit, po aq edhe një strategji që është trashëgimi e të kaluarës.

Inceneratori i Dubait është një ndër mijëra projektet WTE të përfunduara së fundmi, në ndërtim ose të planifikuara për t’u ndërtuar. Mbi 2600 objekte të tilla janë aktualisht funksionale në mbarë botën, me më shumë se 400 vetëm në Kinë.

Një raport i kohëve të fundit parashikonte rritje të shpejtë për industrinë e WTE, me të ardhura gati të dyfishuara, nga 27.7 miliardë dollarë në vitin 2021, në afro 45.2 miliardë dollarë në vitin 2029. Ky zgjerim do t’i detyrohet kryesisht përpjekjes globale për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit mbi Klimë, e cila ka nxitur rritjen e investimeve tek zgjidhjet e qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve.

Kjo premton të jetë pozitive për betejën kundër ndryshimeve klimatike. Aktualisht inceneratorët përpunojnë më shumë se 400 milion ton mbetje në vit, ose afro 20 për qind të 2 miliardë tonë mbetjeve që krijohen çdo vit pas ripërdorimit, kompostimit dhe riciklimit.

Dekompozimi i mbetjeve në landfill çliron metan në atmosferë, një gaz me potencial ngrohjeje 28 herë më të madhe se dioksidi i karbonit.

Ri-drejtimi i mbetjeve nga landfillet tek inceneratorët, ndihmon në reduktimin e emetimeve të metanit, ruajtjen e planetit si dhe prodhimin e energjisë elektrike. Ky është një lajm i mirë, por është gjithashtu një lajm i vjetër. Sepse inceneratoët janë në thelb përshtatje të koncepteve të mëparshme dhe jo risi revolucionare.

Ato janë përpjekja e fundit e njerëzimit për të eliminuar mbeturinat në vend të parandalimit të tyre. Në librin tim të fundit “Si të mos krijojmë mbeturina”, unë përshkruaj në detaje përpjekjen shekullore për ta transformuar në një forcë pozitive konsumin e shfrenuar.

Për shembull, në fillim të shekullit XX, shumë qytete në SHBA-së investuan në ato që njiheshin si fabrika “reduktuese”, të cilat i kompresonin mbeturinat për të nxjerrë prej tyre vajra dhe nënprodukte të tjera që do të përdoreshin më pas si plehra kimike, lubrifikantë dhe madje edhe lëndë të para për parfume.

Në atë kohë, ky proces konsiderohej një përparim i madh në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Siç u shpreh Kryetari i Komitetit të Shëndetit të Nju Orleansit gjatë Konventës së vitit 1898 të Lidhjes së Komunave Amerikane, landfilli ofronte përfitime të garantuara.

Po ashtu landfillet, sot shpeshherë të keqpërdorura, shiheshin si një mënyrë për të rikuperuar burime të vlefshme, midis tyre edhe rikuperimin e tokës së përdorshme. Megjithatë në planin afatgjatë, ajo qasje rezultoi të ishte e paqëndrueshme. Impiantet e reduktimit, të cilat “gatuan” sasi të mëdha mbetjesh të kalbura për të nxjerrë yndyrën dhe vajin, prodhonin erëra të këqija dhe i ndotën rrugët ujore aty pranë.

Djegia, teknologjia kryesore e inceneratorëve sot, është vlerësuar prej kohësh si një metodë higjenike, efikase dhe fitimprurëse për asgjësimin e mbetjeve. Në fund të shekullit XIX, shumë zyrtarë publikë dhe ekspertë e lavdëruan fuqinë e zjarrit jo vetëm për të shkatërruar dhe gjoja dezinfektuar mbeturinat, por edhe për të gjeneruar avull për të furnizuar lloje të ndryshme motorësh.

Por ashtu si me fabrikat e reduktimit të mbetjeve të shekullit XIX, edhe djegia nuk arriti të përmbushë potencialin e saj. Sepse djegia e materialeve organike, që zakonisht përmbajnë shumë ujë, kërkon temperatura më të larta sesa ato që mund të prodhonin vetëm plehrat.

Kjo i detyroi fabrikat të shtonin qymyr dhe lëndë djegëse të tjera në mbeturina, duke rritur kostot. Në të kundër, impiantet mund të funksiononin në temperatura më të ulëta, gjë që sillte mbetje të djegura pjesërisht, së bashku me rritjen e emetimeve të tymit dhe gazit.

Këto sfida e bënë edhe më të shtrenjtë se djegia e thjeshtë e drurit dhe e qymyrit shndërrimin e mbeturinave në avull dhe energji elektrike. Gati 60 për qind e inceneratorëve të ndërtuar rreth fundit të shekullit XIX u braktisën ose u çmontuan deri në vitin 1910.

Edhe inceneratorët e sotëm kanë hasur pengesa të ngjashme. Për shembull, një fabrikë e propozuar në Bahamas ishte parashikuar fillimisht të kërkonte 1500 tonë metrikë mbetje të djegshme në ditë për të kompensuar konsumin e vet të energjisë, një shifër që e tejkalont me 1000 tonë metrikë prodhimin ditor të mbetjeve në të gjithë vendin.

Në Britaninë e Madhe, u anuluan planet ambicioze për 2 impiante WTE me një kosto prej afro 1 miliard dollarësh, pasi njësia e parë që u ndërtua prodhoi shumë më pak energji elektrike sesa pritej. Teknologjitë WTE vazhdojnë të përmirësohen, veçanërisht në reduktimin e emetimeve toksike.

E megjithatë, janë të habitshme paralelet midis fundit të shekullit XIX dhe kohës tonë. Në vitin 1888, S.S.Kilvington, presidenti i atëhershëm i Shoqatës Amerikane të Shëndetit Publik, mbajti një fjalim plot pasion, në të cilin ai parashikoi një kalim nga një “epokë e formimit të fëlliqësirave” në një “epokë të asgjësimit të pisllëkut”, ku zjarri do të pastronte si “mbetjet e të gjallëve ashtu edhe të të vdekurve”.

Më shumë se 130 vjet më vonë, princi i kurorës së Dubait, Sheikh Hamdan bin Mohammed Al Maktoum, i bëri jehonë optimizmit të Kilvington kur përuroi inceneratorin e ri të  Emirateve të Bashkuara Arabe. Duke e vënë theksin tek aftësia e fabrikës për të përpunuar miliona ton mbetje “pa asnjë ndikim mjedisor negativ”, Al Maktoum e vlerësoi rolin e saj në promovimin e “një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të qëndrueshme”.

Ndërsa kriza e mbetjeve po bëhet gjithnjë e më e dukshme, me pirgjet e mëdha të rrobave të hedhura në shkretëtirën e Atakamës dhe tonelat e plastikës që pluskojnë në Oqeanin Paqësor - mjaftueshëm të mëdha për të krijuar ekosistemet e tyre - inceneratorët cilësohen shpesh si alternativa të qëndrueshme ndaj asgjësimit të mbetjeve në tokë apo det.

Por ndërsa këto objekte janë një përmirësim në krahasim me metodat tradicionale të menaxhimit të mbetjeve, ato nuk janë një zgjidhje. Sepse trajtojnë simptomat dhe jo sëmundjen. Një rast i tillë është Zvicra. Ndërsa ky vend ka zhdukur me sukses vend-deponizimet, vazhdon të rritet sasia për frymë e mbetjeve të tij të ngurta, sidomos e plastikës, të cilën e djeg në vend se ta riciklojë.

Pavarësisht përparimeve të shumta në teknologji, metodat tona të depozitimit të mbetjeve, kanë mbetur në thelb të pandryshuara prej shekujsh. Sasi të mëdha njohurish, kohe dhe parash janë investuar në prodhimin e gjërave që janë projektuar të flaken një ditë në koshin e plehrave.

Si do të dukej shekulli i ardhshëm, nëse këto burime të mëdha do të ri-orientoheshin drejt zhdukjes së plotë të idesë së mbeturinave? Tashmë ne mund të kemi rroba që prodhohen nga mbetjet e qumështit, mobilje që rriten nga miceli i kërpudhave dhe bioplastikë të prodhuar nga mikrobet e algave të detit, uji i kripur dhe lëkurat e shalqirit.

Nëse duam zgjidhje, nuk mund të mbështetemi më tek të njëjtat ide që kanë krijuar problemet. Ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën se si prodhojmë mbetjet, dhe jo vetëm mënyrën se si i menaxhojmë ato.

Burimi: Project Syndicate/ Përshtati Gazeta Si

Shënim: Sarah Newman, asistent/profesore e antropologjisë në Universitetin e Çikagos, SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë