Para

Pritej rritje, por ato ranë – Çfarë ndodhi me pagat

Nga Gisela Troplini - Rënia në vlerë e pagës mesatare në fillim të vitit 2023, siç raportoi Instat, fillimisht u duk si ngatërresë. Një pagë mesatare reale e reduktuar në një kohë kur qeveria po rrit pagën minimale duke e transmetuar këtë rritje në të gjithë sistemin e pagave, trazoi jo pak.

Gazetasi.al komunikoi me Eduart Gjokutajn, analist pranë qendrës Altax, për të sqaruar këtë fenomen dhe për të analizuar faktorët, që kanë ndikuar.

Rënia e pagës mesatare në shtet

Duke nisur me pagën në sektorin publik që ka pësuar rënie me 0.2% nga fundi i 2022-shit në fillim të 2023-shit, Gjokutaj sqaron se është e lidhur me pagesat e shpërblimeve dhe shtesave të lidhura me to gjatë tremujorit të fundit të vitit.

“Nëse pagën mesatare për sektorin publik e krahasojmë me tremujorët e tjerë të vitit 2022 shihet se rritja është prezente dhe tregon edhe politikën e vendimeve të qeverisë për rritjet e disa prej institucioneve”, vazhdon analisti.

Lëvizjet për rritjen e pagës mesatare në shtet, nga ana e qeverisë kishin nisur gjatë kësaj periudhe, por u miratuan vetëm në fund të muajit maj. Vetë kryeministri, duke përmendur disa herë se ajo do të kapë vlerën 900 euro vitin që vjen, tha: “Është proces i ndërthurur, sepse rritja e pagave në sektorin publik rrit dhe aftësinë e tërheqjes së burimeve të kualifikuara dhe përgatitjen e tyre. Kjo nxit dhe sektorin privat ta bëjë, që në fakt po ndodh.”

Për tremujorin e parë 2023, e vetmja gjë për të cilën shteti nxiti privatin, ishte rënia e pagës.

Rënia e pagës mesatare në privat

Në sektorin privat, arsyet e uljes në vlerë të pagës mesatare duken më komplekse. Aty, rënia mesatare e pagës bruto rezulton rreth 2% dhe sipas Gjokutajt, kjo është e lidhur me rënien e produktivitetit që ka çuar në një rritje më të ulët të tyre dhe kjo ka ndikuar një hapësirë ​​më të ulët për rritjen e pagave, përveç se në sektorin e ndërtimit.

Më specifikisht, në sektorin e tregtisë dhe turizmit paga është ulur me rreth 1.2% në raport tremujorësh dhe për pasuritë e paluajtshme deri në 19%. Analisti tregon se përpos ndikimit të bonuseve dhe sistemimeve të llogarive në fundvit ka edhe dy faktorë të tjerë.

Fillimisht, këto janë sektorë me aktivitet sezonal dhe gjatë tremujorit të parë të vitit fuqia e tyre paguese ka pësuar rënie. (Bizneset e turizmit p.sh kanë punonjës gjatë sezonit veror.)

Faktori i dytë, thotë analisti i Altax është efekti i ardhur nga vendimi për rritje të pagës minimale.

“Kjo mund të lidhet edhe me shkurtimet e fondeve të pagave për pozicione pune të caktuara për arsye të presionit prej rritjes së pagës minimale, e cila ka ndikuar në buxhetin e një pjese të bizneseve me shumë punonjës.

Vetë Instat, në një sqarim jozyrtar pa shumë detaje, thotë se janë shpërblimet që jepen në fund të vitit, që llogariten si pagë dhe ushtrojnë presion duke rritur pagën mesatare, më pas, në fillim të vitit, efekti i bonuseve zhbëhet dhe paga mesatare kthehet në nivelet reale.

Duke iu rikthyer shifrave të lartëpërmendura, rënien më të madhe të pagës mesatare e kanë pësuar sektorët me paga të ulëta dhe pa shumë kapacitete. Më herët, në një artikull të Gazetasi.al, duke iu referuar raportit të Bankës Botërore, thuhej se Shqipëria e ka pjesën më të madhe të të punësuarve në sektorin e tregtisë dhe turizmit, model që mban të ulur produktivitetin e ekonomisë në Shqipëri. BB theksonte se rritja e punësimit nuk përkthehet në rritje të produktivitetit. Kjo sepse, pjesa më e madhe e të punësuarve të rinj janë pjesë e sektorëve me paga dhe kapacitete të ulëta, kryesisht të tilla si shitje me pakicë, restorante, kafene dhe sektori i tekstileve, që janë biznese të vogla ose të mesme. Në 2021-shi, bizneset mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri mbani 84% të fuqisë punëtore në punë.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, pas vendimit të rritjes së pagës minimale garantoi se biznesi i vogël nuk do të falimentojë dhe se biznesit të madh qeveria do t’i mbulojë kostot shtesë. Qartazi, për  t’i shpëtuar këtij falimentimi bizneset po gjejnë mënyrë alternative, si ajo e përmenduar më lart; shkurtimi i fondeve të pagave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë