Para

‘Reforma e pagave’/ Në 3 muajt e parë të 2023 u ulën në shtet dhe privat

Nga Gazeta ‘SI’ - Paga mesatare mujore në tremujorin e parë 2023, rezulton më e ulët se ajo e tremujorit të fundit 2022, duke u rikthyer në nivelin e 64.7 mijë lekëve nga 66 mijë që kishte arritur.

Sipas grafikut që ofron Instat, kjo është tkurrja më e madhe që nga viti 2020, kur e gjithë bota u prek nga pandemia e Covid dhe tregu i punës pësoi goditje të madhe.

Gjithsesi, në raport vjetor, paga është rritur me 9.2%, me rreth 5 mijë lekë më shumë, por përsëri rritja është më vogël se vitet e shkuara.

Paga mesatare bruto në sektorin shtetëror rezultoi 73.2 mijë lekë në tremujorin e parë 2023, nga 74.5 që ishte në tremujorin e fundit 2022.

Edhe për sektorin privat, rënia e pagës rezulton pothuajse e njëjtë, nga 62.2 mijë lekë në 60.9 mijë lekë, në raport tremujorësh.

Sipas Instat, për periudhën janar-mars 2023, rritjen më të madhe e pati paga në aktivitetin bujqësi, peshkim, pyjtari, 14%, por ajo vazhdon të jetë paga më e ulët dhe shumë poshtë mesatares, 43.9 mijë lekë në muaj.

Ndërkohë, paga më e lartë vijon të jetë ajo për aktivitetet financiare, sigurimit dhe të komunikimit e informacionit, me më shumë se 100 mijë lekë. Por për të dy këto sektorë, pagat në tremujorin  janar-prill 2023 rezultojnë shumë më të ulëta se në tremujorin tetor-dhjetor 2022.

Sipas profesionit, janë menaxherët, ligjvënësit, drejtorët, që paguhen më shumë në Shqipëri, me pagë mesatare mbi 100 mijë lekë, e cila gjithashtu është reduktuar me 8 mijë lekë.

Profesionet elementare vazhdojnë të jenë të fundit në listë, me një pagë rreth 40 mijë lekë, pra atë minimale.

Ishte pikërisht kjo periudhë kur qeveria vendosi të reformojë sistemin e pagave dhe me vendim qeverie miratoi rritje për çdo të punësuar në shtet.

Në prill, kryeministri Edi Rama u shpreh se deri në 2025-n, paga mesatare do të arrijë 900 euro duke nxitur kështu edhe sektorin privat për të rritur pagat. Vetë Rama në një tur takimesh me bizneset dhe sipërmarrjet i kërkoi atyre të rrisin pagat para se të jetë shumë vonë, që të mbajnë këtu punonjësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë