Para

‘Paga 900€’/ Shteti rriti rrogat ndjeshëm, privati jo! Thellohet diferenca midis punonjësve

Nga Gazeta ‘SI’ - Paga mesatare mujore bruto në tremujorit e tretë të vitit 2023 u rrit me 16% dhe arriti në vlerën e 71.486 lekëve. Rritja sigurisht është ndikuar nga ajo e administratës shtetërore, e cila rezulton me një pagë mesatare mbi 84 mijë lekë, 14 mijë lekë më e lartë se një vit më parë.

Paga në sektorin privat ka pasur ecuri shumë të ngadaltë me një rritje vjetore vetëm prej 8.3 mijë lekësh dhe qëndron në vlerën e 65.9 mijë lekëve. Në raport tremujorësh, progresi i pagës në sektorin privat është pothuajse inekzistent. Sipas INSTAT, kjo ka ndikuar edhe në rënien e ritmit të pagës mesatare bruto.

Aktivitetet me pagën më të lartë mesatare mbeten ato financiare, të sigurimit dhe informacioni e komunikimi me paga mesatare 132.000 lekë dhe 105.000 lekë respektivisht. Gjithsesi këto dy fusha, në raport tremujor raportohen me rënie pagash.

Sipas profesioneve, ligjvënësit, menaxherët dhe drejtorët ekzekutivë kryesojnë piramidën e pagave, ndjekur nga specialistët dhe format e armatosura. Punonjësit elementarë dhe ata në fushën e bujqësisë janë më të keqpaguarit me paga shumë pak më të larta se ajo minimale.

Rritja e fortë e pagave në shtet lidhet me ambicien e qeverisë ‘për të çuar pagën mesatare 900 euro’ siç pati premtuar kryeministri Edi Rama. Statistikisht, me një ecuri të tillë qëllimi mund të arrihet shpejt, por shifrat e treguara më lart provojnë se një pagë mesatare 900 euro nuk do të përkthehet në rritje të mirëqenies së të gjithë punonjësve, por thjesht e atyre që punojnë në shtet.

Ekspertë të ekonomisë, por edhe ata nga Banka e Shqipërisë kanë shprehur shqetësimin për një rritje page automatike që përveç se nuk sjell produktivitet rrezikon ekonominë dhe inflacionin. Sinjalet e para të këtij shqetësimi u pasqyruan në raportin e një muaji më parë nga BSH.

Në raport thuhet se kostot e punës për njësi u përshpejtuan në 7.1% në tremujorin e dytë të vitit 2023 krahasuar me tremujorin e mëparshëm (3.9%), në reflektim të rritjes së pagës në sektorin privat. Nga ana tjetër, produktiviteti i punës ka shfaqur tendencë negative, duke nxitur edhe më tej rritjen e kostove të punës për njësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë