Editorial

Rritja e pagës minimale – Një kurth elektoral për socialistët

Në vendimin e fundit politik për rritjen e pagës zyrtare minimale ka një detaj ku është fshehur djalli që mund të zgjojë pakënaqësinë sociale tek më të varfërit dhe do t’u 'hajë' votat elektorale socialistëve.

Socialistët rimodeluan dhe po përdorin politikën e rritjes së pagës minimale si recetë për të lehtësuar varfërinë por nuk kanë llogaritur, me majë të mprehtë të lapsit, efektet anësore të cilat mund të jenë më të mëdha se rezultati që presin.

Që prej korrikut të vitit të kalur paga minimale është rritur 4 herë dhe ka një premtim për të arritur sërisht të paktën deri në 45 mijë lekë. Asnjëherë më parë paga minimale zyrtare nuk është rritur kaq shpejt dhe kaq shpesh sa ç'ndodhi brenda harkut të më pak se një viti.

Rritja e pagës minimale krijon një kosto për biznesin. Por qeveria është shprehur se do të subvencionojë biznesin që ka numër të lartë punëtorësh.

Pikërisht këtu qëndron detaji ku fshihet edhe djalli.

Pse vetëm bizneset e mëdha me shumë punëtorë do të subvencionohen?!. Matematikisht sa më shumë punëtorë ka biznesi aq më i madh lind detyrimi ndaj shtetit dhe logjika e numrave të qeverisë për të lehtësuar barrën duket se qëndron. Por p.sh. 1 për qind më shumë detyrim në 100 mijë lekë xhiro për një biznes të vogël rëndon më shumë se 1 për qind i një biznesi të madh për një arsye fare të thjeshtë që buron nga struktura e bizneseve në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe të përpunuara me kërkesë të Gazetasi.al, sot në Shqipëri veprojnë 181.549 biznese por 90 përqind e tyre janë biznese të vogla me nga 1-4 punëtorë.  Sipas kriterit diferencues të qeverisë,  kjo shumicë dërrmuese nuk do të mbështetet nga buxheti por do të përballojnë vetë kostot e rritura ( rritja e detyrimeve për  kontributet shëndetësore dhe shoqërore+ shtesë page) .

Mes këtyre bizneseve me 1-5 punëtorë, 62.922 janë fermerë. Por të gjithë këta që përfaqësojnë, janë 30 për qind të gjithë bizneseve nuk do të mbështetet financiarisht.

A e dini sa biznese ka sot në Shqipëri që kanë mbi 10 punëtorë ose mbi 50 punëtorë e lartë?! Sipas të dhënave zyrtare, këta përfaqësojnë diçka më pak se 5 për qind të gjithë sipërmarrjes shqiptare. Bizneset që kanë mbi 50 punëtorë përfaqësojnë vetëm 1 për qind!

Pas këtyre detajeve në shifra besojmë se e djalli ka dalë në dritë:  

Qeveria ka vendosur që  të kompesojë koston e krijuar nga rritja e pagës minimale vetëm 1 për qind të bizneseve të mëdha, maksimumi 5 për qind të tyre. Pjesa tjetër dërrmuese, mes tyre dhe të gjithë fermerët që kanë një NIPT, duhet ta përballojnë vetë këtë kosto?

Për rreth 90 për qind të bizneseve në Shqipëri që janë të vogla, me 1-5 punëtorë në shumicën e tyre, fitimi i biznesit përkon me pagën e pronarit si e ardhur personale. Por sipas qeverisë kjo kategori nuk  do të ndihmohet por do të  kompesohen fitimet e bizneseve të pasura.

Pronari i një byrektoreje apo biznesi të vogël IT duhet të paguajë të gjithë shtesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore që rrjedh nga detyrimi për të rritur pagën minimale të punëtorëve ndërsa pronarët e biznesve multi milionëshe do  të subvencionohet pikërisht nga paratë që derdhin të tjerët në buxhetin e shtetit.

Ky vendim ka edhe aspektin psikologjik negativ, i parë nga këndvështrimi tani më jo nga punëdhënësi por nga punëtori.

Sot ka fakte me zë dhe nën zë se ka biznese, shumica e tyre me staf që nuk kërkojnë shumë kualitet por fuqi krahu( p.sh. fasoneritë, ndërtuesit ) të cilat edhe pse janë të detyruara me ligj që të paguajnë të paktën pagën minimale, as atë nuk e japin.

Herën e fundit, publikisht pamë se si në Bilisht, punëtorët e një fasonerie protestuan për disa pakënaqësi ku një prej tyre ishte se punëdhënësi nuk aplikonte pagën minimale zyrtare por më të ulët. Por kryesindikalistja që ngriti zërin, u pushua nga puna.

Më herët ka patur të tjera raste publike. Megjithëse shumica e punëtorëve flasin në kushte anonimati, kjo nuk do të thotë se qeveria duhet t’i neglizhojë këto zëra. Është realitet se  shtresa të varfëra të popullsisë ende sot paguhen nën pagën minimale zyrtare. Sa shumë dhe sa herë të rritet paga minimale, aq më larg janë ata këtij niveli. Kjo kategori punëtorie jo vetëm që i përket shtresave më të varfëra por duke njohur realitetin e me të cilën jeton çdo muaj, nuk entuziazmohet nga vendimet e qeverisë sepse ata e dinë që paga e tyre varet nga pronarët e tyre e ndodhen shumë në periferi të vëmendjes shtetërore.

Agjencitë qeveritare mund të pretendojnë se do të ndjekin strikt mbarëvajtjen e ligjit që detyron sipërmarrësit të mos japin paga nën minimalen zyrtare. Por deri tani asnjë institucion, as Inspektoriati i Punës, as tatimet, as një institucion tjetër i lidhur direkt dhe indirekt me këtë çështje nuk kanë treguar një rast detyrimi apo ndëshkimi.

Në Bilisht punëtorët jo vetëm që nuk morën pagën minimale por humbën dhe atë që kishin dhe askush, të paktën Inspektoriati i Punës nuk përpiloi një raport mbi denoncimet e bëra publike, jo më organet e tjera të hetimit administrativ dhe penal.

Ndaj taktika politiko-elektorale e rritjes së pagës në vend të të rrisë entuziasmin e votës mund t’ju rikujtojë punëtorëve pakënaqësinë e një page të vogël e të pamerituar dhe një shteti të dobët.

Sipas të dhënave zyrtare të kryqëzuara mes tatimeve, sigurimeve dhe INSTAT të paktën deri në  tremujorin e tretë të 2022,  janë të paktën 340 mijë shqiptarë që presin se do t’u rritet paga minimale sipas ‘urdhrit” të qeverisë. Shumicë dërrmuese e tyre janë në privat.

Qëllimi i qeverisë për të rritur pagën minimale sipas saj nuk është elektoral por shpjegimi i dhënë deri tani mbetet sipërfaqësor i pa mbështetur në fakte për sa kohë as qeveria nuk i ka ‘promovuar’.

Grafiku i postuar nga kryeministri për rritjen e pagës minimale

Por edhe sikur rritja e pagës minimale të jetë me qëllime elektorale, megjithëse shqiptarët meritojnë prej kohësh rritje të të ardhurave, llogaritë me shumë gjasë janë bërë gabim. Dhe ushtria e madhe e votuesve të hamendësuar në kushtet që të dikton realiteti mund të rezultojë një togë entuziaste që gjithë ka votuar me bindje dhe jo me logjikën racionale të premtimit të dhënë –premtim i mbajtur.

Socialistët duhet të kuptojnë se nuk janë më 340 mijë vota potenciale të  shqiptarëve të “gëzuar” për rritjen e pagës minimale, ndërkohë që shtohen edhe 160 mijë bizinese që kanë nga një familje nga pas që shikojnë sesi ata diskriminohen dhe të pasurit favorizohen dhe ku politikat për drejtësi sociale fshehin pabarazinë.

Socialistët sot në pushtet përpara se të rikuperojnë këtë gabim duhet t’i japin një përgjigje vetes: interesat e kujt përfaqësojnë?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë