Para

Bien arkëtimet nga tatim-fitimi, ngadalësohet rritja e të ardhurave për shtetin

Nga Gazeta 'SI' - Për tre muajt e parë të vitit, të ardhurat e buxhetit të shtetit janë rritur me 5%, përkthyer në 163.8 mld lekë. Nga një vit më parë ritmi i rritjes së të ardhurave është përgjysmuar.

Për të njëjtën periudhë, shpenzimet e përgjithshme arritën në 130.4 mld lekë, më pak se plani dhe 4% më shumë se një vit më parë.

Për tre muajt e parë të vitit, buxheti i shtetit rezultoi me një suficit 33.3 mld lekësh.

Të ardhurat

Sipas të dhënave nga ministria e Financave, rënia e ritmit rritës të të ardhurave është ndikuar nga një rënie e tatim-fitimit, që prej kohësh ishte bërë zë kryesor i arkës së shtetit. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 18.7 miliardë lekë, 3 miliardë lekë, ose 13.7% më pak se 3 mujori 2023.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 15.3 miliardë lekë, 2 milardë lekë ose 15.5% më shumë se 3 mujori 2023.

Të ardhurat nga TVSH në import për 3 mujorin rezultojnë 34.3 miliardë lekë, 1.3 miliardë lekë ose 4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më pare.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 17.5 miliardë lekë, 4.6 miliardë ose 35.3% më shumë se 3 mujori 2023.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 13.1 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 8.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 722 milionë lekë, 105 milionë ose 12.7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 2 miliardë lekë, 10 milionë lekë ose 0.5% më shumë se 3 mujori 2023.

Taksat nacionale për periudhën 3 mujore 2024 arritën në 10.3 miliardë lekë, 1.2 miliardë lekë ose 13.2% më shumë se 3 mujori 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 37.6 miliardë lekë, 5.5 miliardë lekë ose 17.2% më shumë se 3 mujori 2023.        

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 3 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 130.4 miliardë lekë me një realizim në masën 96 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 4.1 përqind më i lartë ose rreth 5.1 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 3 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 17.7 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar.

Shpenzimet korente për periudhën 3 mujore të vitit 2024 rezultuan në rreth 125.5 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 11.6 përqind më i lartë ose rreth 13 miliardë lekë më shumë.

Niveli i suficitit në periudhën 3 mujore të vitit 2024 rezultoi në rreth 33.4 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 8.1 përqind më i lartë ose rreth 2.5 miliardë lekë më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë