Para

Rritja e pagës minimale, shpjegimet e qeverisë, të pamjaftueshme

Nga Gazeta ‘SI’ - Kryeministri Edi Rama, kur justifikoi shkaqet e rritjes së pagës minimale zyrtare katër herë që nga korriku, për ta çuar në 40 mijë lekë, tha se është rritur konkurrueshmëria dhe produktiviteti i ekonomisë.

Për një ekonomist këto janë arsye të mjaftueshme dhe të shpjegueshme. Por koha, shpejtësia më të cilën u morën vendimet  dhe mos bërja publike  e këtyre treguesve  të matur nga qeveria vë në dyshim vendimin.

Së pari, që prej vitit 2019 asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka bërë më matje të produktivitetit të ekonomisë ku të përfshihet edhe Shqipëria. Banka Botërore e cila publikonte një studim periodik “Doing Bussines” që prej 3 vitesh nuk e realizon më. Ky raport i cili bënte presion mbi qeverinë dhe ngjallte debate, tanimë i mungon publikut si referencë.

Sado qeveria të bëjë matje vetjake, kredibiliteti i saj është më i ulët se institucionet ndërkombëtare, të shquara për ekspertizë.

Nga ana tjetër, pas 2019-s kur shpërtheu pandemia e Covid-19, një pjesë e madhe e ekonomisë hyri në lockdown dhe nuk e favorizoi produktivitetin.

Ndaj, si ka mundësi që për këto vite qeveria ka tregues të rritjes së produktivitetit të ekonomisë, e cila vetvetiu e bën rentabël për biznesin edhe rritjen e pagës minimale për punëtorët, ndërkohë që rrethanat nuk ta lejojnë këtë gjë.

Megjithëse nuk ka një tregues gjithë përfshirës të produktiviteti të matur që nga 2019-a, Gazeta “SI”, analizoi disa nga variablat që formojnë produktivitetin.

Në vitin 2019, kur daton dhe raporti i fundit për produktivitetin dhe indeksi i konkurrueshmërisë, Shqipëria qëndronte në fund të vendeve të rajonit dhe Europës për shkak të punësimit në sektorë me paga të ulëta dhe mungesës së investimeve në inovacion. Por këto të dhëna nuk janë rifreskuar në më shumë se 3 vite.  

Raporti më i freskët i përket vitit 2021 dhe është ai i INSTAT në vend, që tregon se struktura ka mbetur pothuajse e njëjtë. 

Sipas aktivitetit të ndërmarrjeve në ekonomi, raportohet se të gjithë sektorët kanë pasur rritje të numrit të bizneseve, shitjeve dhe të të punësuarve, por investimet kanë rezultuar në rënie.

Tregtia ka pjesën më të madhe të këtyre treguesve. 38.3% të ndërmarrjeve ndaj totalit, janë tregtare. 46.3% e shitjeve i përkasin po aktivitetit tregtar dhe mban të punësuar 25.2% të fuqisë punëtore aktive. 20% e totalit të investimeve janë bërë po në këtë sektor.

Është pikërisht ky model që, sipas Bankës Botërore (2019), mban të ulur produktivitetin e ekonomisë në Shqipëri. BB thekson se rritja e punësimit nuk përkthehet në rritje të produktivitetit. Kjo sepse, pjesa më e madhe e të punësuarve të rinj janë pjesë e sektorëve me paga dhe kapacitete të ulëta, kryesisht të tilla si shitje me pakicë, restorante, kafene dhe sektori i tekstileve, që janë biznese të vogla ose të mesme. Në 2021-shi, bizneset mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri mbani 84% të fuqisë punëtore në punë.

Kjo vërtetohet dhe nga anketa e lartpërmendur, kur mat afarizmin për punonjësit e e shërbimeve që rezulton më e ulët se mesatarja në vend, 2.25 mln lekë në vit. Mesatarja është 3.2 mln lekë. Për punonjësit e prodhuesit të të mirave me 4.86 mln lekë.

Investimet e ndërmarrjeve në vitin 2021 janë ulur me 11.5% nga 2020-a. Sipas të dhënave të INSTAT të gjitha sipërmarrjet në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve raportuan në tatime 53.3 miliardë lekë (455 mln euro) shpenzime për blerjen e makinerive dhe pajisjeve. Këto shpenzime ishin 21% më të ulëta se në vitin 2020.

Nëse do të mbetemi në këto shifra mbetet lehtësisht e dallueshme se ekonomia kombëtare nuk premton rritje të produktivitetit. Ndaj mbetet përgjegjësi e agjencive qeveritare të japin të dhëna për të mos menduar se rritja e pagës minimale është thellësisht elektorale që krijon kosto për biznesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë