Menaxhim

Pitstop i rritjes së normës së interesit – A është BSH në xhirot e fundit?

Nga Gisela Troplini - Vendimi që Banka e Shqipërisë mori për të mos rritur normën bazë të interesit është i mirëpritur, megjithëse ende nuk është e qartë se sa do të zgjasë ky “status”. Sipas Guvernatorit Sejko, normalizimi i treguesve ekonomikë frenoi rritjen e mëtejshme të normës.

Ky vendim erdhi pas pesë rritjeve të herëpashershme të normës së interesit në 2022-shin dhe qëllimit për ta kthyer atë në nivelet objektiv, 3%. Rritja nisi në fund të marsit, në 1%, kur shenjat e para të luftës në Ukrainë prekën tregjet shqiptare, nga karburantet tek ushqimet dhe inflacioni arriti 5.7%.

Atëherë Guvernatori Sejko u shpreh se goditjet e ofertës dhe qëndrueshmëria e kërkesës së brendshme do të ishin presion shtesë ndaj inflacionit. Për gjatë muajve të ardhshëm, inflacioni dhe ekonomia vazhduan në rritje, ndonëse e para më shpejt se e dyta. Sektorët e industrisë, shërbimit dhe tregtisë u prekën nga një ulje e aktivitetit, e kërkesës dhe rritje e kostove. Ai i ndërtimit jo, ushqyer dhe nga kërkesa ende në rritje e kredive për banesa.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën e 23 marsit 2022, kur u rrit për herë të parë norma e interesit me në një dekadë

Sipas vetë Këshillit të Bankës, në një komunikim në muajin shtator, kur norma ishte rritur dhe dy herë të tjera, ajo nuk kishte dhënë asnjë efekt në kreditim (qëllimi kryesor i këtij instrumenti) dhe se kërkesa vazhdonte e lartë, sidomos për kredinë e banesave. Efektet u panë vetëm pas rritjes së fundit, asaj të nëntorit, 2.75%, ku kërkesa e individëve për kredi ra lehtë, por ajo e bizneseve jo. Kjo ishte dhe periudha kur sektorët ekonomikë shfaqën shenja rimëkëmbje, nga shërbimet tek tregtia. Pas kulmimit në tetor me 8.3%, inflacioni shfaqi tendenca rënëse. Tregues që bënë dhe BSH-në të gjykonte se nuk duhej një rritje e mëtejshme e normës bazë. (Sipas INSTAT, ulja e inflacionit ka ndodhur sepse çmimet stratosferike të energjisë janë në rënie, ndonëse mbeten përsëri të larta, çmimet e ushqimeve dhe pijeve vazhdojnë të rriten nga muaji në muaj. Pra, inflacioni është ulur, por presionet inflacioniste jo.)

Gjithsesi, në fjalën e tij, Sejko mohoi përmbysjen e politikave dhe theksoi se ekonomia ka ende nevojë për shtrëngim monetar në të ardhmen afatshkurtër, pasi rreziku nga inflacioni është i lartë, por tani niveli 2.75% është mjaftueshëm. Më herët, kreu i Departamentit të Politikave Monetare në BSH, Erald Themeli u shpreh se “pjesa më e madhe e rritjes së normës është bërë”, duke nënkuptuar se rritjet e ardhshme do të jenë minimaliste. 

Banka, si autoriteti kryesor monetar në vend, qëllimi i të cilës është ruajtja e stabilitetit të çmimeve, ndodhet në një situatë të paprovuar në më shumë se një dekadë. Dilema e Këshillit të saj është; sakrifikimi i një rritje më të shpejtë ekonomike apo “normalizimi” i inflacionit të lartë.

Në teori, në një efekt domino, tjetër rritje e normave të interesit do të shtrenjtojë huamarrjen dhe vetë lekun. Do të godasë kërkesën konsumatore, do të ulë qarkullimin e parasë deri në gurin e fundit që është lehtësimi i inflacionit, ndoshta deri në objektiv, për jo shumë kohë. Ul fuqinë paguese të konsumatorëve dhe mundësinë e tyre për përballim të goditjeve.

Por një frenim i rritjes së normës së interesit në nivelet ku ajo mbetet ende stimuluese për kreditim të ekonomisë, e bën uljen e inflacionit të duket ëndërr, me më shumë presione mbi të dhe me qytetarë që nuk kanë zgjidhe tjetër veçse të përshtaten.

Në të njëjtat dilema gjenden dhe bankierët qendrorë të SHBA-së dhe Europës, të cilët kanë pasur një rritje agresive të normës, sidomos Rezerva Federale, pasuar nga një rënie po aq e shpejtë e inflacionit. (Inflacioni në janar 6.5%, norma bazë 4.75%). Të dhënat pozitive nuk kanë frenuar Fed të rrisë përsëri normën. Javën e ardhshme ajo do të ketë lëvizjen e radhës, thjesht në një masë më të vogël.

Të njëjtën gjë do të bëjë dhe Banka Qendrore Europiane javën që vjen. Ajo ka qenë më e kujdesur në përgjigjen ndaj inflacionit, pasi deri para pak ditësh, ekspertët ishin të sigurtë për një recesion në Europë, duke prekur ekonomitë e saj më të mëdha. Të dhënat e fundit e përgatitën BQE-në për të dhënë një goditje tjetër në betejën e saj kundër inflacionit, të mërkurën e ardhshme. (Inflacioni 8.6% në eurozonë, norma bazë 3%.) Veprimet e BQE-së dhe pasojat e tyre transmetohen direkt dhe në ekonominë e Shqipërisë, që nga normat e rritura tek inflacioni  i importuar.

Në një situatë të tillë, ku politika fiskale dhe sociale kanë po ashtu role të rëndësishme, qeveria vendosi të shkurtojë shpenzimet buxhetore, ngriti një Bord për përcaktimin e çmimeve të karburanteve, kurseu fuqizimin e një fashe energjie dhe vendosi t’i marrë prodhuesve të energjisë 50% të fitimit të tyre që u rrit nga kriza. Këto, bashkë me dy paketa sociale, i dedikohen indeksimit të pensioneve, invalidëve dhe kategorive të tjera vulnerabël.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko

Kjo e fundit ishte e vetmja politikë e qeverisë që Guvernatori ka përmendur dhe cilësuar si masë pozitive. Ndërkohë ai vazhdon të kërkojë “sinkronizim të politikës fiskale me atë monetare, si thelb i një ekonomie të qëndrueshme.

Përveç rritjes natyrale të pagave nga vetë zhvillimet në treg, qeveria caktoi një rritje me VKM për disa profesione të caktuara, mjekë, IT, ushtarakë, policë dhe administrata publike. Ndonëse në dukje zhvillim pozitiv, Sejko e sheh si një thikë me dy presa, që rrit më tej kostot e prodhimit dhe shton presion tjetër mbi çmimet e konsumit, duke vështirësuar luftën e Bankës kundër inflacionit, ku vetë ajo ka shpallur armëpushimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë