Ekonomi

Shqetësimi i përhershëm i Guvernatorit- A po e dëgjon kush?!

Nga Gisela Troplini - Në pothuajse çdo dalje publike, takim me mediat apo jo, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka ripërsëritur domosdoshmërinë e koordinimit fiskale me ato monetare, për të mbrojtur aktivitetin ekonomik në vend dhe reduktimin e goditjeve inflacioniste.

Goditjet me pambuk të kreut të BSH-së ndaj qeverisë, që harton politikat fiskale, ka nisur disa vite më herët, kur Shqipëria “vuante” nga inflacioni i ulët që qëndronte poshtë objektivit prej 2%.

Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2019, në një konferencë të përbashkët me përfaqësuesit e Misionit të Bankës Botërore në Shqipëri, Sejko theksoi rolin pozitiv që koordinimi i politikave monetare e fiskale ka në rritjen e efektivitetit dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik. Pak ditë më vonë, Sejko përmendi se mosmarrëveshjet politike që po ndodhnin në vend atë periudhë, cenonte klimën e biznesit dhe aktivitetin ekonomik.

Guvernatori Sejko me përfaqesuesit e Bankës Botërore, 2019

Ishte kjo një periudhë e normave të ulëta të interesi dhe sipas vetë Bankës rritja e eksporteve, pagave e punësimit në vend kishte rënë. Investimet kapitale të këtij viti nuk patën ecuri shumë pozitive, njësoj edhe mbledhja e të ardhurave tatimore, që nga një vit më parë kishin shënuar rënie. Deficiti arriti 31.5 miliardë lekë. Në sistemin tatimor nuk pati ndryshime thelbësore, përveç zgjerimit të kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë. Nuk pati as paketa sociale me efekte shtesë në buxhet.

Sejko kërkoi përsëri koordinim të të dyja politikave në 2020-n. Atëherë Shqipëria po vuante ende pasojat afatshkurtra të tërmetit në fund të 2019-s dhe po ndjente efektet e para të pandemisë. Atëherë BSH priste rritje të inflacionit për shkak të programit të rindërtimit dhe shpenzimeve të saj. Por ajo nuk ndodhi sepse konsumi u frenua për shkak të kufizimeve të pandemisë, kreditimi po ashtu, ndonëse normat e interesit u ulën në minimalen historike. 2020-a ishte viti i fiskalizimit, ku për herë të parë bizneset do të deklaronin TVSH-në automatikisht. Efektet e këtyre dy ndryshimeve u vonuan për shkak të shtyrjes së fuqizimit të tyre në situatë pandemie. Të ardhurat në buxhetin e shtetit pësuan rënie, 100 mln më pak se plani, por shpenzimet u rritën ndjeshëm. Rreth 20 mld lekë shtesë iu dedikuan paketave sociale antiCovid. Deficiti u thellua me pothuajse 40 mld lekë.

Në 2021-shin, sugjerimi i Sejkos për koordinim politikash vinte bashkë me optimizmin se vaksinimi i qytetarëve do të nxiste konsumin dhe të rikthente në normalitet aktivitetet ekonomike dhe vetë politikën monetare. Skenari më i keq i parashikuar nuk ndodhi dhe sistemi bankar qëndroi likuid. Fiskalizimi, sipas tatimeve u realizuar me 100% gjatë vitit 2021. Atëherë u vendos dhe se tatimpaguesit me të ardhura vjetore deri në 14 milion lekë në viti do të tatohen me 0%. Të ardhurat vjetore rezultuan pozitive, 510 miliard lekë dhe shpenzimet 596 mld lekë.

Guvernatori kërkoi përsëri sinkronizim të politikave monetare dhe fiskale në mars të vitit 2022, në një takim me përfaqësues të FMN-së dhe ministren e Financave, Delina Ibrahimaj. Inflacioni në vend kishte kaluar vrullshëm objektivit 2%, ndikuar nga rritja e fortë e çmimit të naftës dhe produkteve ushqimore, si pasojë e luftës midis Ukrainës dhe Rusisë. Në të njëjtën kohë, për herë të parë në më shumë se 12 muaj Banka rriti normën e interesit në 1%, për ta rritur 5 herë të tjera gjatë vitit, në 2.75%.. Justifikuar me krizën e çmimeve, investimet kapitale në vend munguan dhe u realizuan vetëm 50% e tyre deri në nëntor (shifrat e fundit publike). Ndërkohë të ardhurat kapën vlerën e 522 mld lekëve. Buxheti rezultoi me një suficit prej 9.5 mld lekëve. Paketa e Rezistencës Sociale gjatë 2022-shit i kushtoi buxhetit 43.1 miliardë lekë. Miliona euro u vunë në dispozicion të blerjes së energjisë.

Guvernatori Sejko, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe përfaqësuesja e FMN-së në Shqipëri, 2022

Çdo dalje tjetër e Guvernatorit Sejko, bashkë me vendimin për normat, shoqërohej edhe me nevojën që kishte ekonomia për të koordinuar dy politikat. Në një situatë kur stabiliteti ekonomik po cënohej, BSH i frikësohej rritjes së mëtejshme të borxhit publik duke e shtuar në listën e këshillave drejtuar qeverisë shqiptare.

Për 2023-shin, Sejko i dha më herët sugjerimet e tij për një politikë monetare dhe fiskale që ekzekutohen në sinkron. Më 11 janar, në forumin e Euromoney, Sejko theksoi se vetëm një bashkëpunim i tillë mund të mbrojtë ekonominë e vendit nga kostot e inflacionit.

Të paktën në tre vitet e fundit Banka e Shqipërisë e posaçërisht Guvernatori në pothuajse çdo dalje publike ka kërkuar që “makina fiskale” e qeverisë të mos godasë “makinën e monetare” që drejton BSH-ja por a e dëgjon kush, që aksidentet qeverisëse të mos ndodhin?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë