Menaxhim

Nga ‘qendër inovacioni’, Piramida u mbush me lokale, Granoff: Qiraja e tyre paguan aktivitetet teknologjike. Në Butrint s’do ketë biznese

Nga Gazeta 'SI' - Parashikuar fillimisht nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan të kthehej në një “inkubator inovacioni”, Piramida e Tiranës është sot një ndër pikat kryesore në kryeqytet për të konsumuar ushqime dhe pije.

Pyetur nga Gazetasi.al për këtë “devijim” të planit fillestar, Micheal Granoff, kreu i AADF-së, tha se këto biznese po financojnë programet për trajnimin e të rinjve që zenë vend po tek Piramida.

Granoff tha se vetëm 20% e Piramidës është zënë nga bizneset e shërbimit, 50% i përket qendrës TUMO dhe pjesa tjetër është ende e zbrazët.

“Çfarë ka rëndësi është forma dhe substanca. Unë nuk do doja të mos kisha një vend për të pirë kafen dhe të kishte vetëm zyra. Qiratë që paguajnë bizneset tek Piramida, shkojnë për financimin e trajnimeve të rreth 2.000 fëmijëve në qendrën e teknologjisë po aty, në TUMO (qendër për të rinjtë nën kupolën e AADF)”, deklaroi Granoff duke theksuar se nëse aty nuk do të kishte kafe, projekti do të ishte një dështim.

Pyetjes për çmimin dhe kontratat e qirasë, kreu amerikan i AADF-së iu përgjigj duke thënë se janë informacione që mund t’i japë Bashkia e jo fondacioni, pasi merret vetëm me pjesën e menaxhimit.

Në një intervistë të Gazetasi.al me drejtuesin shqiptar të AADF-së, Martin Mata dhjetorin e 2021-shit, qëllimi dhe kriteret ishin të tjera. 

“Nuk do të jetë qendër tregtare. Kriteri i parë që një biznes të bëhet pjesë në këtë projekt, është të ketë aktivitet të fushën e teknologjisë. Kriteri i dytë është të ketë një qëndrueshmëri financiare si biznes dhe i treti, të jetë gati për të qenë pjesë e një inovacioni të tillë”, shpjegon Mata.

Referuar planit të Parkut të Butrintit, hartuar po nga AADF, Granoff përjashtoi mundësinë e ndërtimit të subjekteve tregtare në zonën e parkut. Ai tha përballë mediave se fondacioni nuk do të merret me ndërtime komerciale, dhe i vetmi ndërtim do të jetë ai i qendrës së turistëve brenda parkut.

Në draft-planin e Fondacionit, parashikohet krijimi i një zone rekreacioni në parkun e Butrintit ku specifikisht thuhet se do të ketë godina për shërbime turistike, ndërtesa për akomodim turistësh dhe infrastrukturë e struktura të tjera të parashikuara për vizitorët. Gjithsesi AADF nuk ka nxjerrë ende një plan biznesi konkret.

Ndër të tjera Granoff tha se qëllimi i Fondacionit në Shqipëri është vetëm “to give the money”, pa pritur asgjë në këmbim.

Shkëputur nga plani i menaxhimit të Butrintit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë