Politike

Peleshi: Rijetësimi i industrisë ushtarake është synim strategjik (Interpelanca e socialistëve dhe jo e opozitës)

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi duke iu përgjigjur interpleancës së kërkuar nga Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço, bëri me dije se rijetëzimi i industrisë së mbrojtjes është në planet e qeverisë.

Ky rijetësim, vijoi ministri, edhe pse i vonuar pasi disa nga vendet e rajonit janë më para në këtë aspekt, do të vijë në kuadër të NATO-s dhe situatës së acaruar politike në arenën ndërkombëtare.

"Rijetësimi i industrisë ushtarake është synim strategjik, pra po hyjmë në një epokë të re nga ajo e demilitarizimit. Kemi parasysh rijetesimin e Poliçanit, Uzinën e lëndëve plasëse të Mjeksit dhe kombinatin e Gramshit".

Peleshi njoftoi që deri më tani ka patur investitorë apo kompani të huaja, të cilat kanë treguar interes në këtë sektor.

Do të ndryshohet edhe qasja e Shqipërisë në lidhje me investimet, vijoi ai, duke e kthyer nga Shqipëria 1 euro - në Shqipëria partnere apo aksionare në çdo investim të përbashkët.

Në lidhje me investitorët potencial, shtoi më tej Peleshi, kemi patur një mënyrë jo shumë profesionale të tërheqjes së tyre.

“Nga tetori 2022 kemi kërkuar bashkëpunim e Agjencisë së Prokurimeve të NATO-s, i kërkuam të hartojë një raport, parafizibilitet që të dimë se ca kemi, vlerës, linjat të prodhimit, por edhe të kërkesave të tregut. Dimë vlerën e asteve, kërkesën globale dhe mund të orientohemi më mirë për të vendosur se ca game produktesh duhet të marrin mbështetje””.

Ministri bëri me dije brenda Ministrisë së Mbrojtes është hapur një Qendër Inovacioni e cila është në fazën e hartimit të një ligji rregullator për industrinë ushtarake që ta kthejmë në fitimprurëse.

“Ka patur investitorë nga Turqia, Anglia, Bullgaria, Italia, Izraeli dhe po punojmë për ta ndryshuar qasjen si të sillemi me këto investime. Nga Shqipëria 1 euro në Shqipëria vende aksionare, partnere etj.”

Gjithashtu, ministri bëri me dije se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u mor vendimi që nga buxheti i shtetit të paguhen pagat dhe sigurimet për 131 ish-punonjës të Kombinatit të Poliçanit.

“Vlera është 83 milionë lekë të reja. Kemi marrë përsipër pagesën për pagat dhe sigurimet shoqërore të prapambetura. Kemi parasysh Poliçanin, Uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit dhe kombinatin e Gramshit. Poliçani nuk ka fare aktivitet, dy tjerat kanë pak aktivitet që lidhet me demontimin, të cilat sigurojnë disa të ardhura”.

Naço: A ka investitorë të interesuar për industrinë e mbrojtjes?

Në fjalën e tij, Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço, iu drejtua ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi në lidhje me investimet dhe rijetësimin e industrisë së mbrojtjes në vend.

Naço pyeti ministrin nëse ka investitorë që janë të interesuar për të investuar në këtë industri dhe sa e dobishme është për sigurinë e vendit.

Gjithashtu, Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare kërkoi më shumë informacione nga Peleshi përsa i përket vendimit që nga buxheti i shtetit të paguhen pagat dhe sigurimet për 241 ish-punonjës të Kombinatit të Poliçanit.

Sa i takon vendimit për të paguar pagat e prapambetura dhe sigurimet shoqërore për periudhën 2017-2023 për 131 ish-punonjësit e kombinatit të Poliçanit, Naço tha se ky vendim është marrë shumë vonë. Ndërsa ngriti pretendime se janë 241 punonjës që duhej të përfitonin.

Reagimi i Naços erdhi pas vendimit të ditës së djeshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku ministri i Mbrojtjes, Peleshi tha se “Kemi pasur interes për industrinë tonë ushtarake, investitorë të huaj, kanë parë potencialin e tyre”.

Poashtu, Peleshi njoftoi se për 131 ish-punonjësit e kombinatit të Poliçanit, do të paguhen pagat e prapambetura dhe sigurimet shoqërore për periudhën 2017-2023.. Projektligji pritet t’i kalojë për miratim parlamentit, ndërsa do t'i kushtojë buxhetit të shtetit 83 milionë lekë të reja.

Vizita e Zelenskyt në Shqipëri dhe ideja e rijetësimit të industrisë ushtarake

Rigjallërimi i industrisë ushtarake në vend mori vëmendje të veçantë që pas vizitës së Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, kur ky i fundit tregoi interes për bashkëprodhimin e municioneve me vendet e rajonit.

Propozimin e Zelenskyt, Kryeministri Edi Rama e konsideroi si një propozim i ardhur në kohën e duhur.

“Zelensky na foli për mundësinë e bashkëpunimit që do të thotë investimi, prodhimi dhe bashkëpunimi. Të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria. Ky është një proces, e dimë që duhet të investojmë më shumë në mbrojtje si çdo kush tjetër dhe gjitha që mund të bëjmë në këtë drejtim do ta bëjmë. Do ta bëjmë këtë me aleatët tanë dhe jo me të tjerët”, tha asokohe Rama.

Sipas, kolonelit (R) Dritan Demiraj, vendi mund t’ia dalë të ndihmojë edhe Ukrainën me prodhimin e armatimeve dhe municioneve, por gjithnjë në bashkëpunim me NATO-n.

Koloneli (R) Dritan Demiraj
Koloneli (R) Dritan Demiraj

Në një intervistë me Gazetën Si, Demiraj u shpreh se propozimi i presidentit Zelensky është i mundur, në rast se aleanca ka marrë vendim që të ofrojë asistencë financiare ose të lejojë kompanitë private të industrisë ushtarake që, në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes; të përdorin uzinat e Gramshit, Poliçanit, etj dhe të investojnë në pajisjet dhe makineri të cilat mund të prodhojnë armë të lehta dhe municione artilerie. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë