Njerez

OKB: Barazia gjinore, janë bërë hapa pas. Paragjykimi, si një dekadë më parë

Studiuesit u ‘trondisën’ nga mungesa e progresit dhe normat sociale të ngulitura që ulin shanset e përfshirjes së grave në politikë, biznes dhe punë.

Sipas një raporti të OKB-së, paragjykimi ndaj grave vazhdon po njësoj si një dekadë më parë dhe progresi i barazisë gjinore ka bërë hapa pas.

9 nga 10 persona të të gjitha gjinive kanë një paragjykim ndaj grave, zbuloi Indeksi i Normave Sociale Gjinore, një shifër e pandryshuar nga të dhënat e mbledhura më shumë se një dekadë më parë.

I publikuar nga programi i zhvillimit të OKB-së të hënën, raporti zbuloi se gjysma e njerëzve në 80 vende besojnë se burrat bëhen udhëheqës politikë më të mirë, 40 për qind besojnë se burrat janë drejtues më të mirë biznesi dhe një e katërta besojnë se dhuna ndaj grave është e justifikuar.

Këto shifra, nga të dhënat e mbledhura midis 2017 dhe 2022, janë kryesisht të pandryshuara nga raporti i mëparshëm, i publikuar në vitin 2020, i cili përdorte të dhëna nga 2005 deri në 2014.

“Prisja që të shihnim një progres sepse shifrat ishin të tmerrshme dhe më parë”, thotë Pedro Conceiçao, studiues që ishte pjesë e raportit.

“Herën e parë që e publikuam, isha i tronditur nga përmasat e paragjykimeve dhe këtë herë u trondita nga mungesa e progresit.”

Pavarësisht se gratë janë më të arsimuara dhe më të afta se kurrë më parë, ka një hendek rrogash prej 39 për qind me burrat, shtuan studiuesit.

“Kjo është me të vërtetë alarmante dhe shpjegon pse bota është krejtësisht jashtë çdo pritshmërie në arritjen e barazisë gjinore deri në vitin 2030,” thotë Anam Parvez, kreu i kërkimit në Oxfam.

“Në vitin 2021, një në pesë vajza u martuan para se të mbushnin 18 vjeç, 1.7 miliardë gra dhe vajza jetojnë me më pak se 5.50 dollarë në ditë dhe gratë vazhdojnë të bëjnë tre herë më shumë punë shtëpiake të papaguara sesa burrat në mbarë botën. Me ritmin aktual të progresit do të duhen 186 vjet për të mbyllur boshllëqet në mbrojtjen ligjore”.

Heidi Stockl, pedagoge në Universitetin Ludëig-Maximilians-Munich, tha se nevojiteshin “përpjekje dhe një angazhim i fortë nga të gjitha nivelet e shoqërisë” për të kapërcyer paragjykimet e rrënjosura. Por ka shenja përparimi, tha ajo, me një rritje të shkallës së arsimimit në vende të tilla si Bangladeshi dhe përfaqësimi më i lartë i grave në politikë dhe në ekonomi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë