Politike

Një SPAK “gjysmak”, nuk ka kandidatë për prokurorë

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, pjesë e SPAK-ut së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit, mund të vihet në funksion me një numër më të vogël prokurorësh anëtarë nga sa ka vendosur në fillim të punimeve të tij Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Sipas vendimit të KLP-së, kjo prokurori duhet të përbëhet nga 15 prokurorë që do të përzgjidhen nga kandidatët që më parë kanë kaluar të dyja shkallët e procesit të vettingut dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligjin për organizimin dhe funksionimin e strukturave për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Shqyrtimin e kësaj mundësie e njoftoi vetë kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, që theksoi se mbetet në dorë të këtij institucioni për të përcaktuar numrin minimal të anëtarëve, që prokuroria e posaçme të cilësohet funksionale.

“Ne kemi diskutuar dhe më herët që numri mund të jetë dhe më i paktë. Këtë sezon shpresojmë ta finalizojmë SPAK. Ne do diskutojmë se cili do jetë numri minimal që mund të ngremë SPAK”, deklaroi Brahimi pas rikthimit nga pushimet.

Në Kushtetutë, Prokuroria e Posaçme e SPAK përcaktohet me një trupë prej të paktën dhjetë prokurorësh. Nëse kjo prokurori do të niste punën pa u plotësuar ky numër, atëherë do të nxiste një debat mbi kushtetueshmërinë e funksionimit të saj.

Pika dy e nenit 148/dh e Kushtetutës përcakton shprehimisht se “Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi”.

Pra, përcaktimi “…prej të paktën 10 prokurorë” që bëhet në këtë nen nënkupton se çdo ngritje e kësaj prokuroria me një numër më të vogël mund të interpretohet si antikushtetuese. Megjithatë, vetë kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi në të njëjtën intervistë nuk e përjashtoi mundësinë që prokuroria e posaçme të nisë punën edhe me më pak se 10 anëtarë. Për këtë ai thotë se do të vendosë KLP.

“Ne kemi një indikacion në Kushtetutë që flet për një numër prej 10 prokurorësh, ne dhe më herët kemi diskutuar që numri mund të jetë dhe më i pakët. Në marrjen e këtij vendimi, Këshilli do të thellohet duke parë ngarkesën aktuale të prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ngarkesën e pritshme të prokurorëve të SPAK”, deklaroi ai.

Ibrahimi nuk dha asnjë afat, por nëse KLP vendos që të emërojë prokurorët e parë në këtë prokuroria dhe ky organ të nisë nga puna, kjo mund të realizohet brenda këtij viti. Aktualisht në garë për t’u bërë anëtarë i kësaj prokurorie janë 15 prokurorë, aq sa është edhe numri i përgjithshëm i prokurorëve të përcaktuar nga KLP për këtë organ.

Përveç mungesës së kandidaturave që do të shtonin konkurrencën në garë dhe rrisnin cilësinë e kandidatëve të përzgjedhur, një tjetër pengesë është edhe vettingut. Nga 15 kandidatët, që KLP zyrtarizoi në muajin korrik, vetëm pesë prej tyre e kanë kaluar procesin e vettingut. Kjo do të thotë se KLP mund të marrë vendim për të emëruar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion vetëm pesë kandidatët për të cilët vettingu ka thënë fjalën e fundit.

Të pestë kandidaturat janë duke u vlerësuar nga KLP për plotësimin e kritereve strikte që kërkon Kushtetuta dhe ligji. Kjo do të thotë se edhe mes pesë kandidatëve që kanë kaluar vettingut, KLP mund të skualifikojë ndonjërin prej tyre nëse gjykon se nuk plotëson kriteret.

Por, edhe nëse prokuroria e posaçme do të vihej në funksion, kjo nuk do të thotë ngritjen automatikisht të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Që kjo strukturë të funksionojë duhet që të emërohen edhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, detyrë që i takon Këshilli të Lartë Gjyqësor.

Në dhjetor të 2018, ky këshilli vendosi që të nisë procedurat për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas këtij vendimi, Gjyqtarët e Gjykatës për Krimet e Rënda kanë mundësinë të jenë përkohësisht anëtarë të Gjykatës së Posaçme, me kushtin që ata dhe familjarët e tyre të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare si dhe të telekomunikimeve vetjake, ndërsa për të marrë emërimin e përhershëm ata duhet të kalojnë vetingun dhe të përmbushin kriteret e tjera të përcaktuara në ligj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë