Rend dhe Ligj

2018-a, viti i “vettingut”, por SPAK mbetet ende një mirazh

Nga Mentor Kasa - “Vetting” ishte kryefjala e 2018. Vendimi i parë i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte ai për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit ndaj ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, që hoqi dorë nga e drejta për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë si gjyqtar apeli pas përfundimit të mandatit në krye të organit qëndror të akuzës.

Nga muaji mars, kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi punën e deri në seancën e fundit të dhjetorit, në sitën e procesit të rivlerësimit të pastërtisë së figurës, integritetit, profesionalizmit dhe pasurisë kaluan 77 punonjës të sistemit të drejtësisë.

Më shumë se gjysma e tyre ishin nga radhët e gjyqësorit. Me KPK-në u përballën plot 41 gjyqtarë, 30 prokurorë dhe gjashtë ndihmësa ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Nga këta, 35 zyrtarë u shkarkuan. Në pjesën dërrmuese të shkarkimeve arsyeja ka qenë mosjustifikim i pasurisë dhe më pas lidhjet e papërshtatshme me krimin e organizuar.

KPK konfirmoi në detyrë 42 anëtarë të drejtësisë, por për 13 prej tyre dosjet janë apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Pikërisht në këtë Kolegj, i fundit që u rrëzua ishte ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ai kishte kaluar më herët provën përballë KPK-së, por vendimi u apelua nga Komisioneri Publik pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Trupa e Gjykates Kushtetuese para nisjes se procesit te vettingut

Shkarkimi i Dedjas i vuri vulën procesit të shuarjes së Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, ky proces nisi që në korrik të 2017, një vit pas miratimit me konsensus në Parlament të ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë reformës në drejtësi. Në atë kohë, Gjykata Kushtetuese, megjithëse duhej të kishte nëntë anëtarë, në përbërje të saj kishte vetëm shtatë. Dy prej anëtarëve të tjerë u kishte përfunduar mandati dhe reforma në drejtësi e konflikti politik e kishin lënë pas dore zëvendësimin e tyre.

Në gusht të 2017, gjyqtari Vladimir Kristo u dorëhoq. I zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese që në 2007, atij i kishte përfunduar mandati 9-vjeçar që në 2016, por kishte mbajtur detyrën për të mos futur këtë institucion në kolaps. Kristo bënte pjesë në listën e punonjësve të drejtësisë që nuk kishte dorëzuar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë me arsyetimin se kishte mbushur moshën e pensionit.

Dorëheqja e Kristos la me gjashtë anëtarë Gjykatën Kushtetuese. Rivlerësimi niste pikërisht me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në pararojë. Në atë kohë, kryetari i kësaj Gjykate, Bashkim Dedja e dinte situatën e vështirë në të cilën ndodhej institucioni i tij dhe në dhjetor lëshonte alarmin. Deklaronte se Kushtetuesja po shkonte drejt kolapsit dhe kjo mund ta penalizonte Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut. Si zgjidhje propozonte që anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të emëroheshin fillimisht dhe më pas t’i nënshtroheshin Vettingut. Thirrja e tij ra në vesh të shurdhër, ndërsa në Kushtetuese situata u bë akoma më kritike, kur në fund të janarit të këtij viti, Besnik Imeraj dha dorëheqjen.

Në mars të këtij viti në sitën e rivlerësimit profesional, integritetit dhe pasurisë kaloi anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese. Emri i tij ishte Fatos Lulo. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në gjetjet e tij tha se Lulo nuk justifikonte pasurinë, konkretisht shuma deri në 200 mijë dollarë. Lulo e apeloi vendimin tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ku sërish e humbi betejën. Pas Lulos në KPK kalonte në sitë Vitore Tusha. Pasi shqyrtoi pasurinë, integritetin dhe aftësinë profesionale, Tusha u bë gjyqtarja e parë e Kushtetueses që kalon me sukses vettingun.

Gjyqtarja e Gjykates Kushtetuese, Vitore Tusha, duke dale nga nje seance te Komisionit te Pavarur te Kualifikimit.

Por, më pas u shkarkuan Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxhaj për mosjustifikim pasurie, e deri tek i fundit Gani Dizdari, për të cilin organet e vettingut vlerësuan se kishte edhe lidhje të papërshtatshme. Dizdari e ka apeluar vendimin në KPA dhe vendimi përfundimtar pritet të merret në 2019. Deri atëherë, Vitore Tusha është e vetmja anëtare e Gjykatës Kushtetuese pas rrëzimit të dekretit të Presidentit Ilir Meta, që e propozoi atë për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Kositja” më pas kaloi në Gjykatën e Lartë. Ashtu si Kushtetuesja, edhe këtë gjykatë procesi i vettingut e gjeti me mangësi në trupën e saj. Nga 19 anëtarë që duhet të kishte për të funksionuar normalisht, për shkak dorëheqjesh e përfundime mandatesh, kjo gjykatë ndodhej vetëm me nëntë të tillë.

KPK rrëzoi me radhë Admir Thanzën, Tom Ndrecën, Artan Brocin, Shkëlzen Selimin e Artan Zenelin. Vettingun e kaluan Edmond Islamaj, Xhezair Zaganjori dhe Ardian Dvorani. Për Islamajn dhe Zaganjorin Komisioneri Publik ka apeluar në Kolegjin e Posaçëm vendimin e KPK-së, ndërsa konfirmimi i Dvoranit ishte më i kontestuari nga ana e Partisë Demokratike, që akuzon Kryeministrin Rama se e ka projektuar atë për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, si pjesë e strategjisë së tij për të kapur sistemin e drejtësisë.

Gjyqtari Ardian Dvorani gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi ne detyre

Shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe i asaj të Lartë u vendos në ditët e para të muajit gusht, para se organet e vettingut të merrnin pushimet. Vjeshta niste me emrat e tjera në listën prioritare, kryesisht me anëtarë të gjykatave të apelit dhe krerët e gjykatave në rrethe.

Mes akuzave për standarde të dyfishta, procesi rrodhi ngadalë, pavarësisht se vendi ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Megjithatë, në ditët e fundit të këtij viti vettingu ja doli mbanë që të krijojë Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, dy organet kyçe të emërimeve në drejtësinë e re.

Ngritja e tyre nuk u shoqërua krejtësisht pa debate. Në krye të KLP-së u zgjodh Gent Ibrahimi, pjesë e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë që morën pjesë gjatë hartimit të draftit për reformën në drejtësi. Partia Demokratike thotë se emërimi i Gent Ibrahimit në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë tregon kapjen politike të organit të ri të qeverisjes së prokurorisë.

Gent Ibrahimi u zgjodh ne krye te Keshillit te Larte te Prokurorise ne mbledhjen e pare te ketij Keshilli

Pavarësisht akuzave, në mbledhjen e ardhshme, KLP do të çelë garën për Prokurorin e Përgjithshëm, ku mes kandidaturave të përfolura është edhe kryeprokurorja e Përkohshme, që më 18 dhjetor mbushi plot një vit, Arta Marku. Do të nisë puna gjithashtu edhe me emërimet e magjistratëve që janë diplomuar një muaj më parë.

Një ditë më vonë Naureda Llagami, kandidaturë e shoqërisë civile u zgjodh në krye të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Anëtarët e këtij këshilli kaluan vetëm me votat e mazhorancës në mungesë të konsensusit të opozitës, e cila këtë fundvit kishte të tjera prioritete.

SPAK-u në dorë të KPA-së

Pavarësisht akuzave, ngritja e KLGJ-së dhe KLP-së u prit me optimizëm, nisur edhe nga zvarritja e gjatë e këtij procesi. Këto dy organe janë kyçe për ngritjen dhe funksionin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, njohur me akronime si SPAK.

Por, sfidat për ngritjen e kësaj strukture janë ende të mëdha. Paradoksi qëndron në faktin se pavarësisht se nuk ka një vendim të prerë e përfundimtar, që e jep vetëm Kolegji i Posaçëm i Apelimit, gjyqtarët e prokurorët mund të zgjidhen anëtarë të KLP-së, apo KLGJ-së pas marrjes së konfirmimit nga KPK.

E gjitha kjo mund të shkaktojë vonesa në ngritjen e SPAK. Shkak për këtë janë ankesat në KPA. Tre anëtarët aktualë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nuk i kanë mbyllur plotësisht “hesapet” me organet e vettingut.

Për prokurorët Arben Dollapaj, Gentian Osmani dhe Antoneta Sevdarin, Komisioneri Publik ka apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimet e konfirmimit të tyre në detyrë nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Antoneta Sevdari, Gentian Osmani dhe Arben Dollapaj janë aktualisht anëtarë të KLP-së. Ata kaluan provën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por në rast të një vendimi të kundërt me atë të KPK-së nga ana e KPA-së, atëherë procedurat për plotësimin e KLP-së do të rinisnin nga e para dhe e gjithë kjo do të përkthehej në vonesë për ngritjen e SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë