Rend dhe Ligj

SPAK dhe Gjykata Antikorrupsion në dorë të apelimeve nga Vettingu

Ngritja e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar do të varet më tepër nga procesi i Vettingut, ku një pjesë e kandidaturave janë për rishqyrtimin në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.
Ky është konstatim i nxjerrë nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, ku me anë të një raporti të ri përshkruan etapat se si po ndiqet një proces i tillë.
“Në kushtet kur numri i prokurorëve kandidatë për në Prokurorinë e Posaçme të konfirmuar në detyrë nga KPK, por edhe ai i gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda kandidatë për në Gjykatat e Posaçme është ende shumë i ulët, ankimimi i vendimeve përbën një sfidë për mbarvajtjen në kohë të procesit si edhe plotësimin e vendeve vakante të kërkuara nga legjislacioni respektiv për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatave të Posaçme dhe Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në këtë raport.

– Raporti sekret, krerët e gjykatave të korruptuar e lidhje me krimin

Sa i përket procesi të ngritjes së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion theksohet se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rikthyer procesin e vlerësimit për kandidatët që mund të jenë pjesë e këtij institucioni. Në datat 2 dhe 4 prill seancat dëgjimore me 2 gjyqtarë të Gjykatave të Krimeve të Rënda, njëri prej të cilëve Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Fehmi Petku, i cili u shkarkua nga KPK, ndërsa Albana Boksi u konfirmua.

Fehmi Petku në seancën dëgjimore


Konfirmimi në detyrë nga KPK për gjyqtarët e Gjykatave të Krimeve të Rënda është i detyrueshëm për emërimin e tyre të përhershëm në Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përveç këtij detyrimi ligjor, për emërimin e përhershëm të tyre, gjyqtarët duhet të plotësojnë kriteret për ngritje në detyrë të parashikuara nga legjislacioni respektiv si edhe së bashku me familjarët e afërm të tyre të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.

Procesi i vlerësimit të Vettingut

Aktualisht, Gjykatat e Krimeve të Rënda vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi deri në ngritjen dhe funksionimin e Gjykatave të Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, deri tani nuk ka një konfirmim apo njoftim zyrtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor sa i përket emërimit të përkohshëm të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda në Gjykatat e Posaçme.

Për rrjedhojë, nuk ka ende informacion mbi numrin e gjyqtarëve të këtyre gjykatave, të cilët kanë pranuar kushtet për kufizimin e privatësisë, apo atyre gjyqtarëve, të cilët nuk kanë pranuar të nënshkruajnë deklaratat lidhur me kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake. Vlerësohet nisja e procesit e seancave dëgjimore të KPK-së me anëtarë gjykatave të Krimeve të Rënda, por duke ju referuar ritmeve të deritanishme të vettingut në drejtim të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, pengesa apo sfida të mundshme të procesit mund të vinë si rezultat i mos konfirmimeve dhe numrit të ankimimeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA).
“Në këtë kontekst, edhe pse për vetëm 4 gjyqtarë të Gjykatave të Krimeve të Rënda është dhënë tashmë vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, 1 prej tyre është zgjedhur anëtar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke u përjashtuar nga gara për gjyqtar në Gjykatën KKKO. Ndërkohë për 1 gjyqtare të konfirmuar nga KPK që në muajin korrik 2018 ende nuk është dhënë një vendim përfundimtar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Nga ana tjetër, shkarkimi Kryetarit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda shënon një hap negativ në pritshmëritë ndaj numrit të konfirmimeve në detyrë”, thuhet në këtë studim.

Në kushtet kur, Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është parashikuar të përbëhen nga 16 gjyqtarë në Shkallën e Parë dhe 11 gjyqtarë në Gjykatën e Apelit dhe kur kandidatët e parë potencialë për të kaluar në këto gjykata janë gjyqtarët aktualë të Gjykatave të Krimeve të Rënda, ritmet e deritanishme mund të ndikojnë në disfavor të ecurisë normale në kohë si edhe plotësimit në numër sa i përket emërimeve të përhershme të gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme. Kjo e fundit do të ndikojë edhe në ushtrimin sa më funksional të veprimtarisë së këtyre organeve me rol thelbësor në gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

SPAK, i varur nga vendimet e KPA

Sa i përket procesit të krijimit të SPAK, Këshilli i Lartë i prokurorisë ka përzgjedhur 25 nga 28 kandidatët e mundshmëm. Ata do ti nënshtrohen një vlerësimi të hollësishëm nga 5 anëtarët e Komisionit të Posaçëm, i cili ka filluar tashmë nga puna për shqyrtimin e dosjeve të 25 kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme. Komisioni do të bazohet në vlerësimin e dy kritereve kryesore, për të cilat është parashikuar të aplikohet një sistem pikëzimi. Kriteri i vlerësimit të performancës – (rezultatet për vlerësimet e dy viteve të fundit) dhe kriteret e posaçme etike dhe profesionale – Aftësitë e treguara në hetim, në ndjekjen penale dhe në konfiskim; – Vendosmëria e treguar në përballimin e vështirësive, presioneve e rreziqeve dhe integritet do të jenë pjesë e punës së vlerësimit të 25 kandidatëve.
Rregullorja parashikon gjithashtu afatet kohore në lidhje me përfundimin e procesit të vlerësimit të kandidatëve, i cili është parashikuar të zgjasë 6 javë, specifikisht deri në datën 15 maj 2019. Brenda kësaj periudhe kandidatëve mund tu kërkohen dokumente shtesë, të cilat duhen të identifikohen dhe paraqiten tek Komisioni i Posaçëm brenda një afati 7 ditor. Pas kësaj faze, për vlerësimin e kandidatëve do të zhvillohet edhe një proces 2-javor intervistimi, i cili përfshin edhe pyetje të drejtuara nga përfaqësues të misioneve ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT.
Emërimi përfundimtar i kandidatëve (ngritja në detyrë) kryhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë vetëm pasi ato të kenë kaluar procesin e rivlerësimit dhe të jenë konfirmuar në detyrë. KPK dhe KPA pritet të përshpejtojnë gjatë kësaj periudhe procedurat e rivlerësimit për këto prokurorë. Krijimi i Prokurorisë së Posaçme shpallet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më pas prokurorët e ngritur në detyrë kanë mundësinë të aplikojnë për pozicionin e Drejtuesit të institucionit.
Të gjitha ato prokurorë kandidatë për prokurorë të posaçëm, të cilët nuk arrijnë të konfirmohen në detyrë nga KPK, përjashtohen nga kualifikimi për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme. Ndërkohë duhet theksuar që edhe pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të rihapë thirrjen për aplikime në rast se ka nevojë për më tepër anëtarë.

Procesi i vlerësimit të kandidatëve për prokurorinë e posaçme


Aktualisht, nga 25 prokurorë në garë për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme, vetëm 5 prej tyre janë konfirmuar me vendim të formës së prerë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Siç u përmend në çështjen e trajtuar më lart, zgjedhja e prokurorit Vatë Staka si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pritet të sjellë tërheqjen e tij nga gara për prokuror në Prokurorinë e Posaçme, duke e çuar në 4 nga 25 numrin e kandidatëve për prokurorë të posaçëm të konfirmuar në detyrë. Për të gjithë kandidatët e tjerë kanë filluar procedurat e rivlerësimit sipas shorteve respektive, ndërkohë që në kuadër të rivlerësimit me përparësi, pritet përfshirja e tyre në kalendarin e seancave dëgjimore.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, në datën 10 prill 2019, institucioni i Komisionerit Publik ankimoi vendimin e KPK-së për një nga 4 subjektet e konfirmuara në detyrë, kandidatë për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme. Kërkesa i është drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili do të vendosë gjatë periudhës në vazhdimin mbi konfirmimin përfundimtar të subjektit. Ndërkohë, ende KPA nuk ka dhënë vendimin për një prokuror tjetër, pjesë e subjekteve në garë për prokurorë të posaçëm, duke bërë që gjysma e vendimeve për 4 prokurorët e konfirmuar të ankimohet në KPA në pritje të vendimit përfundimtar.

 

Më Shumë