Analize

Një dritare e re për të kërkuar drejtësi/ Ç’përfiton Kosova nga anëtarësimi në Këshillin e Europës?

Nga Megi Iskurti - Anëtarësimi në Këshillin e Europës - një synim i hershëm i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, porse ajo aplikoi në maj të 2022-shit, do t’i sillte asaj një sërë përfitimesh politike, sociale dhe juridike.

Nëse dy të tretat e parlamentarëve kombëtarë, që përfaqësojnë 46 shtetet anëtare të organizatës, japin dritën e gjelbër, çështja do të kalojë në maj para ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës, për të marrë vendimin përfundimtar.

Një dritare e re për të kërkuar drejtësi

Krahas forcimit të pozitës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare diplomatike, përfitues direkt janë qytetarët e saj të cilët do të kenë një dritare të re për të kërkuar drejtësi.

Me t’u anëtarësuar në KiE, qytetarët e Kosovës kanë të drejtën që të ushtrojnë padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg, nëse ata besojnë se u janë shkelur të drejtat.

Momentalisht, instanca më e lartë ku mund të ankohen qytetarët për shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore është Gjykata Kushtetuese, por me anëtarësimin e Kosovës në KiE, GJEDNJ do të jetë një institucion tjetër – që shkon përtej Gjykatës Kushtetuese – ku qytetarët mund të apelojnë vendimet e gjykatës. 

Por, kusht për të aktivizuar këtë gjykatë është fakti se pala duhet të shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike të brendshme dhe të gjitha shkallët e gjykimit, në vendin ku kanë ndodhur shkeljet.

Qytetarët e Kosovës kanë të drejtën që të ushtrojnë padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg

Përjashtim bëjnë rastet kur pala vërteton se nuk ka pasur mjet juridik efektiv dhe që është detyruar të kalojë në instancën më të lartë, p.sh. kur kërkohet një e drejtë në një institucion, ndërsa pala nuk pranon përgjigje pavarësisht afateve ligjore, andaj është e detyruar të kërkojë të drejtën e vet në instancë më të lartë për shkak të mjetit juridik joefektiv. 

Shtetet përkatëse janë të obliguara që t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës së Strasburgut, ndonëse kjo e fundit nuk ka mekanizma ndëshkues, në rast se vendimet e saj nuk merren parasysh.

Rëndësia e anëtarësimit për minoritetet

Në disa raporte të përpiluara për Kosovën, në fushën e të drejtave të njeriut, krahas problemeve si korrupsioni dhe dhuna me bazë gjinore, si sfiduese janë përmendur edhe rastet e kërcënimeve ndaj minoriteteve etnike dhe grupeve të tjera të margjinalizuara.

Së fundmi, edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha ashpër në një intervistë se një nga arsyet e problemeve në komunikim ndërmjet Qeverisë së SHBA-së dhe asaj të Kosovës është trajtimi i minoriteteve.

Escobar tha se një nga arsyet e problemeve në komunikim ndërmjet Qeverisë së SHBA-së dhe asaj të Kosovës është trajtimi i minoriteteve

Sipas regjistrimit të popullsisë, i kryer për herë të fundit më 2011, 91 për qind e banorëve të Kosovës janë shqiptarë, 3.4 për qind janë serbë, ndërsa 5.6 përqindëshi tjetër përbëhet nga boshnjakët, goranët, turqit, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

Në këtë proces regjistrimi nuk morën pjesë afër 50 mijë serbë që llogaritet se jetojnë në komunat veriore të Kosovës.

Forcim i sistemit gjyqësor

Përveç promovimit të konventave dhe monitorimit të përparimit, vetë Këshilli bën edhe rekomandime nëpërmjet trupave të ekspertëve.

Pjesë e tij është edhe Komisioni i Venecias, në të cilin Kosova veçse është anëtare. Ky Komision përbëhet prej ekspertëve kushtetues, të cilët ofrojnë këshilla ligjore për vendet anëtare në fusha si demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

Aktualisht, vetëm 12 nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës nuk e konsiderojnë Kosovën shtet të pavarur - më pak se pakica bllokuese.

Ato përfshijnë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, pesë vendet e BE-së: Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, si dhe Armeninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Shtetet që nuk e njohin Kosovën nuk kanë ndonjë arsye të përbashkët por shumica e këtyre vendeve janë kundër pavarësisë së Kosovës ose për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre të brendshme territoriale, ose për shkak të çështjeve të tyre me pakicat, që potencialisht mund të kërkojnë pavarësi.

Megjithatë, jo të gjithë përfaqësuesit e këtyre vendeve mund të votojnë sipas pikëpamjeve politike, të shprehura nga kryeqytetet e tyre për Kosovën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë