Mendim

Në Ditën e Rinisë ku askush nuk foli për… rininë

Në orët e para të mëngjesit, në mediat online dhe ato vizive u shpërndanë me shpejtësinë e erës mesazhet e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, për ditën e Lëvizjes Studentore që me të drejtë është cilësuar edhe si Dita e Rinisë.

Dhe çfarë thanë? Meta e përqendroi mesazhin tek halli i vet se është koha për rifillim duke i ftuar të rinjtë që të guxojnë.

Kryeministri Rama u fokusua më së shumti tek roli që ata patën 30 vite më parë, për të shkuar tek mesazhi i Bashës si para 30 viteve ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa.

Më pas, PD ndjek një ceremoni formale pranë Memorialit “Azem Hajdari” pa protagonistët e Dhjetorit dhe të përçarë në pjesëmarrje edhe vetë familja “Hajdari”.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, do minuta më vonë, zhvillon një takim virtual me të rinjtë duke u përcjellë atyre një mesazh politik se ai do të kufizojë postin e kryeministrit në dy mandate. Basha disa herë e fokusoi vëmendjen tek fakti se ajo, rinia, ishte shpresa për ndryshim ashtu si edhe 30 vite më parë. Ai përcolli një premtim të përgjithshëm se do të jetë zëri i tyre dhe se do të bëj gjithçka që rinia të jetë pjesë në vendimmarrje.

Kalojmë tek kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që edhe ai ka hallin se si të gjejë batutën duke sulmuar palën kundërshtare, se kush mori pjesë dhe se si PD e festoi Ditën e Rinisë.

Por a u ndal dikush nga politika jo vetëm tek problemet që has sot rinia por mbi të gjitha tek zgjidhja?

Gazeta “Si” ka trajtuar më herët se nga të dhënat e INSTAT  shkalla e papunësisë ndër vite tek të rinjtë mbetet 20-30% dhe me shumë luhatje.

Në kohën e pandemisë papunësia tek të rinjtë u rrit në 8,3 %.

Ata ende figurojnë si të dekurajuar që nuk merren me asnjë aktivitet mësimor apo ekonomik.

Studimi më i fundit i “Gallup” tregoi se rreth 62% e të rinjve në vend dëshirojnë të largohen nga Shqipëria.

Zyrat e punësimit si dhe agjencitë shtetërore mbeten pasive në raport më të rinjtë.

Të rinjtë hasin vështirësi në punësim për shkak të eksperiencës së pakët, praktikave të pakta profesionale, punëve vullnetare e mbi të gjitha për shkak të mungesës së orientimit ...

Ata që sot merren me tregun e punës kanë nënvizuar disa herë se për punësimin e të rinjve nevojiten platforma të qarta, që ende mungojnë...

Prandaj, nëse sot të majtë e të djathtë i përdorin të rinjtë si kapitali kryesor për ndryshimin, do të duhet që më së pari të sjellin ndryshimin tek vetë ata, të rinjtë...

Sepse sot nuk jemi si 30 vite më parë...Atëbotë, mbi të gjitha mbizotëronte shpresa...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë