Histori

Çfarë ndodhi më 8 Dhjetor 1990?

Natën e 8 Dhjetorit energjia elektrike në Qytetin Studenti mungonte. Por, pikërisht nga kjo errësirë u ndez drita e shpresës për shqiptarët. Mungesa ndriçimit artificial ishte thjesht preteksti, qëllimi ishte tjetër.

Siç kanë treguar më vonë protagonistët e atyre ditëve, studentët nuk u ngritën me parrullën “Duam drita”, por kërkuan “Shqipërinë si e gjithë Europa”.

Nismëtarët ishin rreth 300, fillimisht, por brenda pak orësh u shumëfishuan dhe nisën marshimin nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës. Forcat e regjimit komunist kishin marrë urdhër që t’i bllokonin para se të dilnin tek “Rruga e Elbasanit”, që në atë kohë mbante emrin “Rruga Labinot”, në nder të fshatit që ndodhet në rrethin e Elbasanit, e ku komunistët zhvilluan një konferencë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Fillimisht ja dolën mbanë, por fitorja ishte vetëm e një beteje të vogël. Nga 9 dhjetori e në vazhdim studentët përshkallëzuan protestën dhe i dërguan një letër Ramiz Alisë me pikë kryesore pluralizimin politik.

Përballë revoltës që nuk ishte më vetëm studentore, por u shndërrua në popullore, Ramiz Alia pranoi kërkesat e tyre, që i hapën rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të para pluraliste në vitin 1991 dhe të 1992 që rrëzuan përfundimisht komunizmin. Pjesa pasuese e historisë pas këtyre ngjarjeve dhe se sa është realizuar thirrja studentore e atyre viteve për “Shqipërinë si gjithë Europa”, dihet…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë