Politike

Kushtetuesja merr kohë për “Teatrin”, por rrëzon kërkesën që Edi Rama të thirret dëshmitar

Gjykata Kushtetuese shtyu për në datë 15 qershor vendimmarrjen në lidhje me çështjet e Teatrit Kombëtar, ligji mbi bazën e të cilit u shemb godina e vjetër është paditur në këtë institucion nga ana e Presidentit të Republikës.

Gjatë kësaj seance, Presidenca i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të thërrasë si dëshmitarë 14 persona, përfshirë këtu edhe Kryeministrin Edi Rama. Kërkesa për dëshmitarët u rrëzua, por u miratua kërkesa e paraqitjes së ekspertëve që do të bëjnë para kësaj trupe vlerësimin e tyre mbi gjendjen e godinës së prishur dhe mbi të gjitha nëse ishte apo jo monument kulturor i mbrojtur nga ligji.

“Pati një rrëzim të kërkesës për dëshmitarë. Por nga ana tjetër gjykata vlerësoi dhe i dha mundësi palëve në proces të paraqiten me ekspertë të tyre të profesionalizuar për çështje të trashëgimisë kulturore. Kjo është një risi në këtë proces në Gjykatën Kushtetuese, i cili besojmë fort se do të risjellë drejtësinë kushtetuese në Shqipëri, në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare, të identitetit tonë kombëtar që për fat të keq u cenua, por që mundet të rikuperohet dhe ka kohë tani”, deklaroi në përfundim të seancës, Bledar Dervishaj, përfaqësues ligjor i Presidentit.

Gjykata i la kohë Presidencës që deri më 8 qershor të dorëzojë ekspertët dhe dokumentacionin shtesë në këtë çështje. Palët e interesuara në këtë proces janë Kuvendi, Qeveria, ministria e Kulturës, ajo e Financave, Bashkia e Tiranës dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që në këtë proces është palë me Presidentin. Përfaqësues të kësaj të fundit e cilësuan një fitore të parë.

“Ngërçi është se palët e interesuara, duke nisur nga Kuvendi, Kryeministria, ministria e Kulturës dhe asaj të Financave dhe bashkia Tiranë sjellin argumentin se Teatri nuk ka qenë monument kulture. Ne do të vërtetojmë se teatri jo vetëm që ka qenë pjesë e zonës historike, monument kulture, por heqja është bërë për t’ju hapur rrugë prishjes së Teatrit”, deklaroi përfaqësuesja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Adriana Kalaja.

Gjykata Kushtetuese do të mblidhet më 15 qershor në seancë plenare për të dhënë vendimin për këtë çështje. Ligji për Teatrin Kombëtar, që i hapi rrugë prishjes së godinës së vjetër u padit nga Presidenti Ilir Meta si antikushtetues, kundër marrëveshjeve ndërkombëtare. Gjithashtu, Presidenca kërkoi edhe shfuqizimin e vendimit të Qeverisë që kaloi truallin dhe godinën e teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë