Dosje

Dosja ‘Beleri’, 50 euro për një votë. Si nisi hetimi për kryebashkiakun e arrestuar të Himarës

Gazeta Si - Fredi Beleri premtonte 50 deri në 200 euro, përfshirë dhe përfitimin e pensionit në shtetin grek, për të gjithë ata persona që do t’i jepnin votën si kryebashkiak për Himarën.

Në dosjen e zbardhur të Prokurorisë së Vlorës, thuhet se padia ndaj Belerit, i arrestuar vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit me akuzën për korrupsion zgjedhor, është bërë më datë 8 maj nga bashkëpunëtori i drejtësisë.

I infiltruar për të futur në grackë 51-vjeçarin, shtetasi me iniciale A.R., sipas dosjes hetimore, ka thënë në polici se Beleri dhe persona të tjerë të shtabit të tij elektoral i kanë ofruar para në këmbim të votës.

Pas denoncimit, ai ka rënë dakord që të takojë sërish Belerin dhe të regjistrojë bisedën për të faktuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Sipas dosjes së prokurorisë, Beleri premtonte pagesa nga 50 deri në 200 euro në këmbim të votës, si dhe premtim për skemën e përfitimit të shtetësisë greke dhe pensionit në shtetin grek.

Dy ditë më pas, në datën 10 maj ai është takuar sërish me Belerin gjatë paradites në një lokal në zonën e Potamit, në Himarë.

Aty ata kanë rënë dakord që shtetasi A.R., do të hartonte një listë zgjedhësish që do të votonin pro Belerit dhe pastaj do ia dorëzonte atij.

Më pas gjatë pasdites, ai i ka thënë Belerit se ka siguruar një listë prej 13 personash.

Beleri i ka premtuar një pagesë 50 euro për çdo votues dhe 300 euro për të si shpërblim, kur të bindej se personat që kishin emrin në listë kanë votuar për të.

Vetëm pasi të sigurohej për votën, atëherë i infiltruari do të merrte shumën e premtuar nga Beleri dhe bashkëpunëtori i tij.

Shtetasi A.R., është takuar me ndihmësin e Belerit, me emrin Pandeli Kokaveshi, 44 vjeç, për t’i dorëzuar listën e votuesve.

Ky i fundit i ka dhënë 40 mijë lekë të reja si pagesë për 8 vota, duke thënë se emrat e tjerë në listë i kishte siguruar ai.

“Shtetasi A.S., e ka pyetur nëse i ka dhënë gjë për të Fredi dhe ai i ka thënë që do të flisnin prapë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Paratë për tetë vota u dhanë në tualetin e një lokali në Himarë dhe se ky moment është vetëm me audio dhe jo i filmuar dhe me kamera, sikurse takimet e tjera nën vëzhgim nga një grup i Policisë së Shtetit të dërguar nga Tirana.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë