Drejtësia

I akuzuar për blerje votash, Fredi Beleri del sot para GJKKO-së për masë të re sigurie

Gazeta Si - Fredi Beleri, kandidati fitues i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 14 majit, do të dalë këtë të hënë rreth orës 13:00 para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i akuzuar për korrupsion zgjedhor.

Beleri do të përballet me akuzën e korrupsionit zgjedhor, ndërsa bashkë me të para gjykatës do të dalë edhe Pandeli Kokaveshi, i cili dyshohet të jetë ndihmësi i tij.

SPAK pritet që të kërkojë masën e sigurisë “arrest në burg” për dy të hetuarit, një kërkesë që do të shqyrtohet nga gjyqtarja e posaçme Atalanta Zeqiraj. Vepra penale me të cilën Gjykata e Vlorës ia përcjell dosjen SPAK-ut është për "Korrupsioni zgjedhor”.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Prokuroria thotë se ka prova dhe fakte për shit-blerje votash. Për këtë thotë se ka kryer përgjime dhe vëzhgime në terren, ndërkohë që kanë pasur edhe një person të infiltruar.

Më 13 maj, Gjykata e Vlorës vendosi që të lerë në burg Belerin dhe çështjen ia kaloi SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Megjithatë më 15 Maj, Fredi Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u shpall fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pavarësisht se gjendej në qeli. Në një garë të fortë përballë Jorgo Goros ai mori 19 vota më shumë.

Arrestimi i Belerit ka shkaktuar reagim të fortë nga autoritetet greke që janë shprehur se vendime të tilla do të kenë ndikim në marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë.

Akuza ndaj tij u mbështet në disa filmime dhe përgjime mes tij dhe një të infiltruari, të cilit iu premtuan 400 mijë lekë të vjetër për 8 vota.

Avokati i Belerit pretendoi se akuzat ndaj klientit të tij janë të montuara dhe të motivuara politikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë