Drejtësia

Gjykata e Lartë rrëzon Fredi Belerin, mbetet në ‘arrest me burg’

Gazeta Si - Fredi Beleri ka humbur “betejën e fundit” me drejtësinë shqiptare për një masë më të butë sigurie.

Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e kryebshkiakut të zgjedhur të Himarës, duke lënë në fuqi masën e "arrestit me burg" të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Beleri, i cili doli fitues në zgjedhjet vendore, u arrestua në 12 maj, me dyshimin e korrupsionit pasiv në zgjedhje e kryer në bashkëpunim. Ai iu drejtua Gjykatës së Lartë duke kërkuar një masë më të lehtë sigurie.

Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi edhe kërkesën e Belerit, për të shpallur të paligjshme përgjimet që u kryen ndaj tij gjatë fushatës zgjedhore.

Gjyqtari Florjan Kalaja, miratoi si të ligjshëm vendimin e Shkallës së Parë që bëri të vlefshme veprimet hetimore të Prokurorisë së Vlorës kundër kandidatit fitues për Bashkinë e Himarës.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, nën dyshimet se kishte ofruar para për vota në favor të tij. Hetimet nisën pas sinjalizimeve të marra nga policia dhe denoncimit në Prokurorinë e Vlorës të një qytetari nga Himara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë