Drejtësia

GJKKO rrëzon ankimin e Fredi Belerit për ligjshmërinë e arrestimit të tij

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar ankimin e bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, në lidhje me ligjshmërinë e arrestimit të tij.

Përmes avokatëve, Beleri, kundështoi në Apel vendimin e Shkallës së Parë, që e deklaroi të ligjshëm arrestimin e tij.

Dy ditë më parë Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi një kërkesë të Fredi Belerit për zëvendësim të masës së sigurimit, më të lehtë se ajo e arrestit me burg.

Fredi Beleri u arrestua në Himarë 3 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit për blerje votash me akuzën e "korrupsionit në zgjedhje". Megjithatë, pavarësisht se ndodhej në qeli, Fredi Beleri arriti që të fitojë Bashkinë e Himarës, duke mposhtuar me një grusht votash më shumë socialistin Gjergji Goro.

Ndërkohë njeriu i afërt i Belerit, Pandeli Kokaveshi, i vënë në pranga si bashkëpunëtor në shit-blerje të votës u lirua nga Gjykata e Apelit për arsye shëndetësore.

Ai do të ketë detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në prokurori. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, pas dhënies së 40 mijë lekëve për 8 vota një personi të infiltruar të Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë